Çair, kur qytetarët bëjnë punën e institucioneve! Thirrje për pjesëmarrje

Dëbora në mes të dimrit i ka habitur institucionet përkatëse. Për më tepër, tanimë ka kohë që kur ka rënë bora e parë dhe Çarshia e Shkupit, njëri ndër vendet turistike dhe më atraktive të qytetit, është në një gjendje mjerimi. Qytetarëve më nuk ju intereson se kush duhet të merret me pastrimin e rrugëve dhe kanë vendosur që këtë ta kryejnë vet. Grupi jo-formal “Duam Çair të pastër” nëpërmjet rrjetit social Facebook njofton se të shtunën do të kryejë pastrimin e rrugëve të Çarshisë nga dëbora dhe u bën ftesë qytetarëve që t’i bashkëngjiten kësaj iniciative. Ja çfarë thuhet në këtë ftesë:

“Të gjithë së bashku të thyejmë akullin! Nesër e shtunë 10.01.2015 tubimi qendror mbahet te sheshi Skënderbe prej ku do të fillojmë të heqim akullin nga rrugët e Çarshisë së vjetër! Tubimi fillon në ora 14:30 dhe do të zgjasë deri në ora 16:00! Luten të gjithë ata që do të vijnë të marrin vegla me vete për thyerjen dhe pastrimin e akullit!

Presim që të vini numerikisht shumë. Mirë se vini, le t’ju tregojmë të gjithëve se ne dimë t’i çojmë në vend obligimet tona qytetare”.

Ndryshe, pjesa më e madhe e Çarshisë së Shkupit bie nën kompetenca të komunës së Çairit dhe një pjesë më e vogël i takon komunës Qendër.

Lajme të ngjashme

Back to top button