Maqedoni, azbesti kancerogjen gjendet kudo

Dy fëmijë po luajnë duke mbajtur në duar copa të vogla të përhime të thyera të kulmit të cilin e kanë ndërruar kohët e fundit në ndërtesën ku jetojnë ata. Me duart i thyenin copat e kulmit të hedhur në grumbullin e plehrave, ku banorët vendas me kalimin e kohës janë mësuar të hedhin edhe mbeturinat e tjera, në të cilat mund të shihen shumë gjëra të tjera. Me sa duket, loja naive e fëmijëve e injoron faktin se atë që e mbajnë ata në duart e tyre nuk është një lodër fëmijësh, por copa kancerogjene të pllakave të asbestit, të cilat në Evropë janë të ndaluara shumë kohë më parë.

IMG_0586
Shkollat, kopshtet e fëmijëve, ndërtesat komunale, madje edhe lagje të tëra në vend janë të mbuluara me sipërfaqet e dëmshme të asbestit për të cilat askush nuk dëshiron të shpallet kompetent. Asnjë institucion shtetëror nuk e di saktësisht se sa sipërfaqe janë të mbuluara me asbest ose në cilat vende është instaluar ky material. Janë të rralla kompanitë që duhet t’i trajtojnë këto mbeturina në një mënyrë të veçantë për shkak se thithja e këtyre mbeturinave është me pasoja fatale. Shifra zyrtare tregon se dhjetëra njerëz trajtohen në vit nga kanceri për shkak të ekspozimit të tyre ndaj asbestit, të cilët janë të regjistruar në një pjesë të institucioneve. Edhe pse vlerësohet se numri është më i lartë edhe për shkak të faktit se asbesti kancerogjen vret ngadalë, për vite me radhë.
Sveti Nikolla është një nga komunat, qytetarët e së cilës kanë frikë për të pirë ujë nga ujësjellësi lokal për shkak të gypave të asbestit, një fakt të cilin banorët e lidhin me rritjen e numrit të njerëzve me kancer. E vizituam komunën me qëllim që të pyesim se cili është mendimi i kompetentëve në lidhje me këtë çështje dhe nëse kanë informacione se ku ka materiale asbesti në komunën e tyre dhe si hiqet ai. Zyrtarisht, përfaqësuesit e komunës pretendonin se nuk ka asnjë rrezik për qytetarët nga uji, por personi zyrtar me të cilin biseduam na pranoi personalisht se ai blen ujin. Edhe zyrtarisht jemi drejtuar në komunë, ku na përgjigjën se kanë objekte në tërë komunë të cilat janë të mbuluara me materiale asbesti, duke përfshirë postën, shkollën dhe shumë objekte të tjera ndihmëse. Por, në pyetjen se ku largohen mbeturinat e asbestit, përgjigja ishte me të vërtetë tronditëse:

“Mbeturinat transferohen nga objekti ne objekt, largohen nga qyteti dhe barten në objektet ndihmëse në periferi ose në objekte që gjenden në arat individuale”, thonë nga Komuna e Sveti Nikollës. Asbestin, sipas tyre, e largojnë vetë pronarët pa asnjë pajisje mbrojtëse. Edhe pse, sipas rregullores ligjore, ka një mënyrë të përshkruar saktë se si largohen sipërfaqet e asbestit, të cilat, përndryshe duhet t’i largojë një kompani e specializuar për këtë qëllim, punëtorët e së cilës duhet të punojnë me pajisje speciale.

IMAG0143
Kemi kërkuar informata nga komunat nëse kanë informacione në lidhje me praninë e sipërfaqeve të asbestit dhe nëse kanë vendosur një sistem për menaxhim me asbestin dhe mbeturinat e azbestit. Pjesa më e madhe e komunave më të mëdha nuk kanë të dhëna për institucionet publike, e as për shtëpitë individuale të banorëve, në të cilat ka sipërfaqe asbesti. Duke hulumtuar problematikën me asbest, kemi gjetur se madje lagje të tëra në disa komuna janë të mbuluara me asbest. Askush nuk kujdeset se si e largon asbestin qytetari i zakonshëm, e as ku sillet ai.
Asnjë komunë nuk ka vende të veçanta për selektimin dhe deponimin e mbeturinave të asbestit.
Shpesh, pa ditur, qytetarët e zakonshëm e hedhin asbestin së bashku me mbeturinat e thjeshta komunale, pa vetëdije duke ekspozuar veten në rrezik për shkak të thithjes së pluhurit të asbestit dhe të grimcave që shkaktojnë një sërë sëmundjesh, duke përfshirë edhe kancerin.
Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka të dhëna për sasitë e materialeve te instaluara të asbestit, ku thonë se kjo nuk është në kompetencën e tyre. Ky pretendim është plotësisht në kundërshtim me qëndrimin e komunave, të cilat thanë se pikërisht ministria është përgjegjëse për gjendjen e pranisë së asbestit në institucionet publike.
Sipas Ligjit për menaxhimin e mbeturinave, mbeturinat që përmbajnë dhe lëshojnë grimca, fibra ose pluhur asbesti, mund të deponohen dhe të largohen në vende të parapara ekskluzivisht për këtë qëllim, si dhe të jenë të ndara nga llojet e tjera të mbeturinave, të selektuara dhe të paketuara në mënyrën përkatëse. Një leje të këtillë nga ministria  përkatëse ka vetëm deponia Drisla. Sipas të dhënave nga deponia, në 10 muajt e parë të këtij viti janë larguar pothuajse dyfish më shumë sipërfaqe asbesti në krahasim me vitin 2013. Por, a tregon kjo se ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe institucioneve për rrezikun e asbestit është rritur?

Sasitë e pranuara dhe të deponuara të mbeturinave që përmbajnë komponentë asbesti në deponinë Drisla në periudhën prej vitit 2011 deri në vitin 2013

Viti

Sasia (ton)

2011

51,26

2012

46,34

2013

76,16

2014 (deri më 1 nëntor)

111,22

Ekspertët thonë se asbesti në vetvete nuk është i rrezikshëm nëse nuk është i dëmtuar. Problemi paraqitet për shembull nëse thyhen sipërfaqet ku është instaluar asbesti sepse atëherë grimcat shpërndahen nga era dhe mund të jenë fatale për njerëzit nëse i thithin ato.
Sipas informatave nga Klinika e Pneumologjisë, në vit diagnostikohen 7-10 raste të reja të kancerit si rezultat i ekspozimit ndaj asbestit. Ndërsa, rreth 90% e të gjitha llojeve të kancerit (mezoteriumet) te meshkujt dhe 50% e llojeve të kancerit (mezitoriumet) te gratë janë për shkak të ekspozimit profesional ndaj asbestit.
Specialisti pulmonar, Jordan Minov nga Instituti i Mjekësisë së Punës – OBSH, Qendra e bashkëpunimit thotë se Maqedonia ka legjislacionin për mbrojtjen e të punësuarve nga ndikimi i asbestit. Ai është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe mbulon të gjitha fushat e mbrojtjes profesionale.

Jordan-Minov-pulmolog

“Punëtorët të cilët janë të ekspozuar ndaj ndikimit të asbestit, sipas legjislacionit, kërkojnë ekzaminime preventive dhe të njëjtat zbatohen në Qendrën e Mjekësisë së Punës. Por, ne nuk kemi asnjë informacion rreth ekspozimit profesional të ndikimit të asbestit te kompanitë e vogla ndërtimore, si dhe te qytetarët e zakonshëm, të cilët më shpesh vetë e largojnë asbestin gjatë rinovimit dhe rrënimit, në mënyrë joprofesionale dhe pa pajisje për mbrojtje personale”, thotë profesori Minov. Ai shton se pikërisht këtu duhet t’i kushtohet vëmendje mbrojtjes preventive, si dhe për rritjen e vetëdijes përmes informimit më të madh.
Komuna e Karposhit është një nga komunat e pakta që janë aktive në aspektin e trajtimit të asbestit. Pjesa më e madhe e sipërfaqeve të asbestit të shkollave dhe të kopshteve të fëmijëve në komunë janë zëvendësuar me materiale të tjera më të sigurta. Asbestin e largojnë kompani të specializuara, thonë nga komuna. Por edhe kjo komunë, si dhe shumë komuna të tjera të cilat i kemi konsultuar, nuk kanë asnjë plan, e as ndonjë sistem për trajtimin e asbestit.
Komuna e Manastirit thotë se nuk ka evidencë për asbestin e rrezikshëm dhe na drejton në Ministrinë e Ambientit Jetësor. Komuna e Prilepit nuk ka të dhëna se sa sipërfaqe të saja janë me asbest ose kush dhe në cilën mënyrë i largon ato. Edhe Komuna e Strumicës nuk ka informacione për materialin e instaluar të asbestit në cilado sipërfaqe të saj dhe deri më tani nuk kanë larguar mbeturinat, e as nuk kanë një deponi të posaçme për këtë lloj të mbeturinave. Komuna nuk ka plan për menaxhimin e asbestit. Një sistem të veçantë për trajtimin e këtij lloji të mbeturinave nuk ka as Komuna e Negotinës, ku dy kopshte fëmijësh janë të mbuluara me dërrasa saloniti që përmbajnë asbest, si dhe shkollat rajonale në fshatrat Krivollak dhe Pepelisht. Edhe në komunën e Shtipit shkollat fillore dhe të mesme janë të mbuluara me pllaka asbesti, edhe pse komuna nuk ka informacione të sakta për atë se sa sipërfaqe janë të mbuluara me këtë material ndërtimor. Ata nuk e dinë se kush dhe si i largon këto mbeturina të rrezikshme, e as që komuna ka vendosur ndonjë plan apo sistem për trajtimin e mbeturinave të rrezikshme.

Azbesti nuk dekompozohet, por vret ngadalë

Varësisht nga shkalla e lidhshmërisë së asbestit në produktin ose materialin dhe nga shkalla e dëmtimit, fibrat mikroskopike të asbestit lëshohen në ajër në sasi të vogla apo të mëdha. Kur thithen këto fibra, ata mund të hyjnë në mushkëritë dhe të mbeten aty për shumë vite. Në bazë të qëndrueshmërisë ose strukturës së tyre në formën e gjilpërave, fibrat e asbestit që do të mblidhen në mushkëritë, nuk mund të dekompozohen.
Punëtorët të cilët thithin pluhurin gjatë rrënimit apo rinovimit dhe zëvendësimit të materialeve të asbestit (nëse janë të thyeshme) mund të ekspozohen në rrezik për kancer të mushkërive, mezotelium, asbestozë, një sëmundje që shkakton mbresa dhe mprehtësi të mushkërive. Asbestoza është një sëmundje e pamjekueshme e mushkërive, të cilën e shkaktojnë grimcat mikroskopike të asbestit. Pas thithjes së grimcave të dëmshme, sëmundja mund të paraqitet madje edhe pas dhjetë vitesh dhe për këtë arsye është e vështirë të zbulohet menjëherë nëse dikush vuan nga asbestoza. Simptomat e sëmundjes manifestohen me frymëmarrje të vështirë, kollitje, bronkit, kurse vdekja ndodh pas një pezmatimi shumëvjeçar.
Koha ndërmjet ekspozimit ndaj asbestit dhe shenjave të para të sëmundjes mund të jetë edhe 30 vjet.

Për dallim nga ato, komuna e Çairit përshkruan në detaje se sa sipërfaqe asbesti deri tani kanë ndryshuar në institucionet publike. Siç thuhet në përgjigjen e tyre, në territorin e Komunës së Çairit deri më tani janë ndryshuar 6.700 metra katrorë kulme asbesti nga shkollat, kurse planifikojnë në të ardhmen të zëvendësojnë kulmet e tri shkollave të tjera në territorin e komunës.
Komuna e Ohrit, ndërkohë, ka në plan në periudhën e ardhshme të zëvendësojë një pjesë të gypave të asbestit të ujësjellësit, si dhe një pjesë të strukturave të kulmeve të shkollave. Ata mbështeten në Ligjin për menaxhimin e mbeturinave dhe pretendojnë se në kompetencën e komunave janë vetëm mbeturinat komunale, ndërsa për mbeturinat e rrezikshme kujdeset Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Në Komunën e Butelit, asbesti është i pranishëm në konstruksionet e kulmeve të kopshteve të fëmijëve dhe të shkollave. Bëhet fjalë për 15.000 metra katrorë. Deri tani janë larguar 6.000 metra katrorë. Komuna paralajmëron se vitin e ardhshëm për ta është “viti i arsimit kur do të ndërmarrin aktivitete të mëdha ndërtimore”.
Me iniciativën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhe Maqedonia është nënshkruese e Deklaratës së Parmës. Në përputhje me këtë, Maqedonia është e detyruar që deri në fund të vitit 2015 të përpilojë dhe të miratojë Programin kombëtar “Programi Kombëtar për eliminimin e sëmundjeve të asbestit”.
Nëse Maqedonia do të ketë sukses që brenda afatit kohor ta miratojë Profilin dhe në bazë të të njëjtit të përpilojë Programin kombëtar si një dokument strategjik mbetet për t’u parë.

Dëmet e asbestit janë konstatuar që në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar

Rezultatet e para të dëshmuara se asbesti është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve janë paraqitur në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Prej atëherë, një numër i madh i vendeve evropiane, pasi kanë vërejtur problemet shëndetësore të shkaktuara nga asbesti, kanë filluar të miratojnë ligje për kufizim ose ndalim të prodhimit dhe shitjes së asbestit. Vendet skandinave janë vendet e para që e kanë ndaluar përdorimin, ndërsa në vitet e fundit pothuajse nuk ka vend evropian që mund të prodhojë dhe të bëjë tregti me produktet e asbestit.
Prodhuesi dhe eksportues më i madh i asbestit është Rusia, e cila së bashku me Kinën dhe Indinë vazhdojnë pa ndërprerje t’i përdorin produktet e asbestit në proceset e përditshme, veçanërisht në ndërtim. Në veprimtaritë me produktet që përmbajnë asbest, është thelbësore që të kushtohet vëmendje dhe të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme dhe të veçanta për mbrojtjen e njerëzve, sidomos kur largohen materialet e asbestit, kur thyhen materialet që përmbajnë asbest (montimi ose çmontimi i kulmeve, mbështjelljeve të fasadave, mbështjelljeve të dyshemeve ose pllakave me përzierjet e mbushjes), si dhe gjatë çmontimit të elementeve të ndërtimit që janë në kontakt me asbest.
Para se të fillohej me çfarëdo aktivitetesh, është e nevojshme që të kryhet edukimi i punonjësve, të cilët do të jenë në kontakt me asbest. Kështu, duhet të kushtohet një vëmendje të veçantë për karakteristikat e asbestit dhe pasojat ndaj shëndetit, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse, veçanërisht përdorimin e pajisjeve të frymëmarrjes, dekontaminimin, largimin e mbeturinave dhe mbikëqyrjen mjekësore.

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”).

Lajme të ngjashme

Back to top button