Francë, lokalizohen terroristët, shkëmbim zjarri, një person mbahet peng (LIVE)

Policia franceze ka arritur të lokalizojë dy terroristët përgjegjës për masakrën ndaj redaksisë së revistës “Charlie Hebdo” dhe mes palëve ka pasur një shkëmbim të dhunshëm zjarri.

Sipas informacioneve të mediave ndërkombëtare, shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur në veri-lindje të Parisit, ku terroristët janë mbyllur në një ndërmarrje dhe kanë marrë peng një person.

Zhvillimet e fundit vijnë nga qyteza Damartin en Goel. Nga të njëjtat burime mësohet se mes policisë dhe dy vëllezërve franko-algjerianë kanë nisur negociatat.

Agjentët e policisë të pranishëm në zonë u kanë bërë thirrje banorëve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Një numër i madh agjentësh sigurie ndodhen në qytezën rurale, të shoqëruara nga autoblinda dhe njësi speciale të anti-terrorit.

Dy vëllezërit Kouachi u lokalizuan nga helikopterët e policisë në pyjet në veri-lindje të Parisit, të kontrolluara me imtësi në orët e fundit nga forcat speciale.

Ndërkohë, nga mediat franceze ka raportime të ndryshme, me “Le Parisien” që thotë se nga shkëmbimi i zjarrit ka pasur 2 të vrarë dhe 20 të plagosur, ndërsa të tjera media flasin vetëm për të lënduar.

Nga ana tjetër, xhandarmëria franceze ka përgënjeshtruar që nga shkëmbimi i zjarrit të ketë pasur viktima.

Edhe ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve ka konfirmuar zhvillimin e operacionit në Damartin en Goel, 35 kilometra larg Parisit.

Zhvillimet e fundit vijnë rreth 48 orë nga sulmi ndaj zyrave të revistës satirike, ku 12 persona mbetën të vrarë. Duke qenë se ndërmarrja ku po ndodh pengmarrja është pranë aeroportit ndërkombëtar ‘Charles de Gaulle’ ka raportime për anulim fluturimesh për shkak të rrezikut.

OPERACIONI LIVE STREAM

Lajme të ngjashme

Back to top button