Ritet islamofobia në Francë

Udhëheqësit dhe grupet myslimane paralajmërojnë kundër rritjes së islamofobisë në Francë, derisa qeveria zotohet se do të çrrënjosë ekstremizmin në çdo formë.  

Deklaratat pasojnë arrestimin e një ushtaraku, të dyshuar për planifikimin e një sulmi në një xhami jashtë qytetit Lion. I dyshuari 23-vjeçar, i pozicionuar në një bazë të forcave lokale ajrore, thuhet se ka planifikuar sulmin me armë, i cili do të përkonte me fundin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit.

I përshkruar nga Ministria e Brendshme si “i afërt me ekstremin e djathtë”, i dyshuari është akuzuar edhe për kryerjen e një sulmi të mëhershëm në xhami.

Duke reaguar ndaj arrestimit të së dielës, Kamel Kabtane, udhëheqës i Xhamisë së Madhe në Lion, ka kërkuar nga qeveria që të veprojë për të luftuar frikën nga myslimanët.

“Është një shqetësim që duhet ta çrrënjosim të gjithë së bashku. Përse nuk mund ta trajtojmë në mënyrë të vendosur çështjen, duke formuar një komision parlamentar kundër Islamofobosë – të dimë së pari se cilat janë shkaqet e saj dhe të shohim se si mund ta luftojmë”, thotë Kabtane.

Në prag të arrestimit, ministri i Brendshëm, Manuel Valls, ka përsëritur vendosmërinë e tij “për të luftuar kundër çdo forme të dhunës, e cila frymëzohet nga ideologji ekstremiste, që ndikojnë vlerat e republikës”.

Sipas Komitetit Kundër Islamofobisë në Francë, veprimet dhe kërcënimet kundër myslimanëve janë rritur ndjeshëm në vitet e fundit.

Zëdhënësi i këtij komiteti, Marwan Muhammad, shpjegon:

“Për fat të keq, shohim banalizim të ideve të caktuara nga ekstremi i djathtë, të cilat përhapen dhe bëjnë që qytetarët të veprojnë në drejtim të diskriminimeve, fyerjeve dhe agresioneve fizike”.

Grupi ka raportuar 108 raste të tilla në gjysmën e parë të vitit – 35 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Zjarrvëniet, sulmet fizike dhe fyerjet ndaj myslimanëve janë në mesin e incidenteve të përmendura në raport. Një numër i madh i incidenteve ka ndodhur derisa qytetarët kanë kryer transaksione rutinore në zyrat shtetërore dhe shumica e tyre kanë përfshirë gra të mbuluara.

Në muajin korrik, ministri i Brendshëm, Valls, e ka cilësuar si “të papranueshëm” raportin për rritje të dhunës kundër myslimanëve në Francë, duke thënë se vendi duhet të jetë “i pakompromis” ndaj atyre që sulmojnë njerëzit për bindjet e tyre fetare, si dhe ndaj “të gjithë fundamentalistëve”.

Komentet e Vallsit kanë ardhur pasi policia është përleshur muajin e kaluar me turma që protestonin arrestimin e një personi, i cili dyshohet se ka sulmuar një polic, pasi gruaja e tij është dënuar për veshjen e vellos islamike në publik.

Florian Philippot, zëvendëspresident i Frontit Kombëtar, parti e ekstremit të djathtë, mohon se jotoleranca në Francë është në rritje, duke thënë se vendi i tij është i hapur, por “urren komunitetet e vogla që vetëqeverisen”.

“Duke mos zgjidhur problemin me islamizmin, radikalizmin islamik, duke e mohuar këtë problem, duke thënë se ky problem nuk ekziston, duke menduar se nëse flasim për të, jemi racistë dhe jotolerantë, atëherë ai bie mbi të gjithë myslimanët”, thotë Philippot.

Franca laike ka luftuar për të ndarë fenë dhe shtetin dhe për të asimiluar popullsinë myslimane prej 5 milionë banorësh – më të madhen në Evropën Perëndimore.

Ajo ka miratuar legjislacionin që dënon shfaqjen publike të besimit islam. Kjo masë ka armiqësuar edhe më shumë myslimanët, të cilët pretendonin se mbahen në margjina të shoqërisë dhe të tregut të punës. 

Në vitin 2004, ligjvënësit kanë miratuar një ligj që ndalon simbolet fetare në shkollat publike – një masë që prek direkt shamitë islamike. Më 2011, ata kanë forcuar legjislaturën, duke ndaluar plotësisht veshjen e shamisë në vendet publike.

Në një raport që pritet t’i dorëzohet qeverisë më vonë, Këshilli i Lartë për Integrim ka propozuar zgjerimin e ndalesës së vitit 2004 edhe në universitete. Ai thotë se masa ka për qëllim zgjidhjen e “një numri në rritje të mosmarrëveshjeve”, të shkaktuara nga studentët që veshin petkun fetar dhe kërkojnë hapësirë për falje dhe menu speciale në universitete.

Lajme të ngjashme

Back to top button