Mbi dialogun

Mirëqenien nuk mund ta ruajë dhe garantojë kurrfarë fuqie njerëzore as forcë teknike, përveçse dialogut i cili gjeneron mirëkuptim e tolerance, ngrit kështjellën e lirive dhe të të drejtave të njeriut

Dialogu gjeneron tolerancën ndërsa toleranca përforcohet nga respektimi i të drejtave të njeriut. Pra, dialogu, toleranca dhe të drejtat e njeriut janë tri burimet kryesore të cilat e ushqejnë mirëqenien dhe zhvillimin e njerëzimit  në të gjitha sferat e jetës.  Mbi këto tri shtylla është ndërtuar edhe kuptimi i jetës.

Pa dyshim që, mbi këto shtylla është ngritur edhe sistemi politik i brumosur me një spektër rregullash të cilat garantojnë rendin dhe sigurinë nëpër shoqëritë demokratike. Gjithçka jashtë këtyre tri shtyllave është diktaturë, anarki, dekadencë…

Që në krye të shkrimit nënvizova se këto tri burime jetike për njerëzimin i japin kuptim jetës! Këtë fakt lehtësisht e hasim që në zanafillë dhe përgjatë të gjitha zhvillimeve dhe proceseve historike të njeriut. E hasim edhe nëpër rrëfimet e librave të shenjtë, ndërsa në mënyrë shumë të qartë e hasim sidomos në Kur’an.

Në Librin e Dritës, dialogu, si proces që i hap shteg paqes (mirëqenies), është kategori e shenjtë. Gjithmonë kur është arritur ky perceptim i drejtë midis njerëzve ka mbisunduar më shumë dashuri, më shumë respekt, tolerancë dhe paqe.

Dialogu nuk është proces që i përket ekskluzivisht dy të fortëve, dy palëve që nuk lëshojnë pe, apo dy subjekteve tashmë të lodhur nga konfliktet dhe luftërat. Dialogu është mjet që i përket të gjithë atyreve që mëtojnë ta konsiderojnë veten të devotshëm, të ndershëm, të moralshëm, qenie të Një Krijuesi Absolut.  Të gjithë ata që mendojnë se janë “fuqia absolute”, pra, diktatorët, e përjashtojnë mundësinë e zgjidhjes së problemeve shoqërore përmes dialogut. Të këtillët janë mohuesit e Fuqisë Absolute, pra, janë pasuesit e rrugës së Djallit.

Dialogu, si proces marrëveshje, ka historikun e vet edhe në botën krishtere. E hasim edhe në Bibël. Është i njohur dialogu ndërmjet Krishtit dhe djallit. Rrjedhja e bisedës lë të nënkuptosh miqësinë e hershme mes këtyre dy krijesave të Krijuesit Absolut. Edhe në Bibël roli i djallit është ai i provokatorit, i tunduesit. Duke ia vënë në dilemë identitetin e tij si dhe duke u përpjekur për t’ia luhatur besimin në Zot, djalli i drejtohet Krishtit me Nëse ti je Bir i Zotit…!”  Qëllimi i djallit është që të provokojë ndonjë inat e kokëfortësi te Krishti, por, i Dërguari i Zotit (Isai a.s.) duke refuzuar provokimin, duke mos dashur që ta dëshmojë fuqinë e vet për ta shndërruar gurin në bukë, (për ta shtuar atë bukë për të gjithë pasuesit e tij), ai në fakt ia bën të qartë djallit fuqinë e besimit të tij të paluhatur ndaj Krijuesit Fuqiplotë prej të Cilit shpërthen jeta. Kështu mëson Bibla, ndërsa në Kur’an, dialogu si proces i arritjes së një marrëveshje arrin kategorinë e aktit të shenjtë. Edhe në Kur’an është i njohur dialogu në mes  Zotit dhe djallit, të cilit i paraprinë ai në mes të engjëjve (melekëve) dhe Zotit. Pra, jo vetëm me qenien e mirë, të butë e të përshtatshëm mund të bashkëbisedohet deri te arritja e zgjidhjes së një problemi, por kjo mundësi duhet t’i ofrohet gjithashtu edhe “të keqit”.

Në jetën e përditshme, çuditërisht, sikur janë ndërruar rolet e atyreve që thirren apo (vetë)caktohen për ta zhvilluar dialogun. Pushtetmbajtësi politik e përdor dialogun sa për ta bindur oponencën e vet që t’i nënshtrohet “fuqisë absolute” të tij!  Në të kundërt, e presin masat represive, nënshtrimi, pushtimi, poshtërimi, shantazhimi…  A është ky qëllimi i dialogut? Nëse do të ishte ky qëllimi, atëherë, pa dyshim që, që në fillim, pas refuzimit për t’u përkulur para Ademit a.s. Allahu Fuqiplotë, nuk do ta mallkonte djallin, por do ta zhbënte, madje edhe si nocion, si koncept, apo edhe si fiksion.

Dialogu nuk është mjet që i dedikohet “të fortit” për ta arritur gjunjëzimin, përuljen  poshtëruese të më të dobëtit; dialogu nuk është mjet që duhet përdorur për të “pasqyruar” superioritetin politik ndaj oponentit, as nuk mund të përdoret si mjet për karshillëk. Dialogu nuk mund të përdoret si mjet disipline për të pakënaqurit politik, apo për rrebelët. Dialogu është, mbi të gjitha, akt të cilin Krijuesi ynë e ka zhvilluar për të treguar se sa të shenjtë janë jo vetëm toleranca dhe bashkëjetesa por edhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Dialogu zhvillohet për të gjetur një kompromis deri te një zgjidhje ashtu siç do të merren vesh palët, një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të gjitha palët pjesëmarrëse në procesin e dialogut.

Djalli e refuzoi kërkesën e Zotit që t’i përkulet njeriut të parë! : “O Iblis, ç’të shtyu ty që të mos përulesh në sexhde para atij që e kam krijuar Vetë me duart e Mia? A mos u bëre mendjemadh apo mendon se je nga të lartët?” Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më ke krijuar prej zjarrit, kurse atë prej balte”. (Sa’d: 38-75/76)

Ajetet pasuese të kësaj sure janë “gurëthemeli” i institucionit të tolerancë-bashkëjetesës dhe lirisë-të drejtave të njeriut. Sado që Iblisi/Djalli mundohet që t’i fryejë zjarrit dhe ta acarojë bashkëbisedimin, Krijuesi i Gjithësisë, i ofron alternativë tjetër veprimi, jo sepse nuk pati rrugëdalje tjetër por, ishte momenti i përçimit të mesazhit “kur Zoti toleron gjithësecilin prej krijesave të veta nën Pushtetin e të cilit janë tokë e qiej, atëherë pse njeriu të egërsohet ndaj krijesave të Tij”?!

Zoti e dëboi nga Xheneti duke e mallkuar për shkak të kryeneçësisë së tij, por ia respektoi kërkesën kur i tha: “O Zoti im, më jep afat deri në ditën kur do të ringjallen ata!” Zoti tha: “Në të vërtetë, ty do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar (kur i fryhet Surit për herë të parë)”. (Sa’d: 38-79/81)

Diaologu do të vazhdojë edhe më tej! Djalli do të betohet në madhërinë e Tij se do të punojë natë e ditë për t’i mashtruar të gjithë, përveç robërve të Tij të sinqertë. Është momenti kur nënvizohet se bota do të polarizohet, se do të përçahet, se do të ketë konflikte e shkatërrime si pasojë e pasioneve djallëzore. Të gjitha problemet, vuajtjet, shkatërrimet do të binin mbi shpatullat e krijesave të Zotit. A nuk pati fuqi Zoti për ta ndërprerë që në fillim këtë të keqe të njerëzimit? Pa dyshim që po! Por, pasi e shpalli të Vërtetën, Zoti në fakt ua dha të drejtën dhe lirinë e plotë të gjithëve, të pozicionohen sipas dëshirave, lakmive, orientimeve, bindjeve të secilës krijesë. Të gjithë ata që do t’i shmangen të Vërtetës duke e trasuar rrugën e Iblisit, të gjithë ata do të jenë banorë të Xhehenemit. Pra, ata që i bashkangjiten krijesës së zjarrtë (Djalli u krijua prej zjarri), asaj krijese që mbërthehet nga iracionaliteti, të gjithë ata përfundojnë në zjarr, në fakt, në fushëbeteja e luftëra shkatërrimtare.

Mirëqenien nuk mund ta ruajë e garantojë kurrfarë fuqie njerëzore as forcë teknike, përveçse dialogut i cili gjeneron mirëkuptim e tolerancë, i cili ngrit kështjellën e lirive dhe të të drejtave të njeriut. Kufijtë e këtyre të drejtave në mënyrë të përkryer i ka përcaktuar E Vërteta tashmë e Shpallur. Deri te kjo e Vërtetë arrihet vetëm përmes dialogut të sinqertë, dialogut që garanton respekt dhe liri e zhvillim për të gjitha krijesat e Zotit. Të gjithë ata që kanë ngulfatur dialogun, duke synuar të ushtrojnë “pushtetin e zotit” mbi krijesat e Zotit, të gjithë ata (pushtetarë, diktatorë e tiranë) kanë përfunduar pa nam e nishan.

Dhe, sureja që në këtë qasje na shërbeu për ta zbërthyer rëndësinë dhe peshën e dialogut, përfundon: “…ky Kuran është këshillë për tërë botën! Dhe ju me siguri që do ta merrni vesh të vërtetën shumë shpejt!” (Sa’d: 38-87/88)

  (Autori është Kryetar i BFI-së në RM)

Lajme të ngjashme

Back to top button