KUJT I PENGON SKËNDERBEU?

Sa e afërt duket koha kur pushtetarët bolshevikë burgosnin gjithkë që ia merrte zëshëm MURLANIT QË FRYN’ ME STUHI – këngës mbi kryeheroin e shqiptarëve Skënderbeun, e cila ua çonte njerëzve shpirtërat peshë, ua sillte ndërmend Motin e madh, i bënte ta kuptojnë vlerën e lirisë dhe mjerimin e izmeqarllëkut, i zgjonte nga gjumi për t’ua e kujtuar se nuk ishin as shkije as turq elhamdulila, siç donin dhe duan t’na shohin ata që i tmerron ekzistenca jonë. Për një këngë të këtillë, të kënduar në dasmën e një fshati tetovar, u diferencuan, u përjashtuan nga puna dhe u persekutuan dhjetra intelektualë të profesioneve të ndryshme, me pretekstin se kënga nxiste urrejtje ndëretnike dhe rrezikonte shtetin e vëllazërim-bashkimit, të pranueshëm vetëm nga shtonat e sistemuara pro-forma në dhëmbëzorët e diktaturës që drobitnin eshtrat dhe vullnetet shqiptare.

Kështu ishte asokohe, kur mendonim se jemi pjesa më atdhetare e etnisë, kur besonim se, në zamane të tjera, do të kapim në çast hapin e humbur, kur ishim të bindur se kurrë më nuk do të biem pre e atyre që na trajtuan si xha të xhalla e hajt bir. Në emër të këtyre idealeve u ndeshëm sa e sa herë duarboshë me armiqtë e veshur me plumb e hekur, duke u sakrifikuar si asnjë etni tjetër e siujdhesës ballkanike. Mijëra të rinj u plakën kazamateve armike, u sakatuan e likuiduan me pretekste të shpifura, u tretën pa nam e nishan udhëve të botës, me gatishmërinë e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor e kombëtar, që lidhej pashmangshëm me shenjtërinë e Flamurit, Gjuhës shqipe dhe pacënueshmërinë e emrit dhe nderit të heroit të kombit – Gjergj Kastriotit.

Por, për paradoksin e paradokseve, kur duhet të jetojmë ëndrrën e brezave të humbur nëpër labirinthet e sistemeve të hurit e të litarit, kur duhet ta kapërcejmë pragun e xhahilisë së imponuar me kërbaçë, ne bëhemi gazi i botës dhe masha që nxjerr sytë e vetvetes. Si të sqarohet ndryshe inferioriteti shqiptar karshi poshtërrimit të gjithandejshëm të figurës së Skënderbeut dhe jo vetëm…, që përfaqëson pjesën dinjitoze të historisë sonë, kujtesën dhe varret stërgjyshore, sepse Ai krah për krah me ta luftoi pushtuesit, jo me ufo të pikur nga qielli. A lejohen gjetkë akte fyese pshurranësh mbi simbolet e lirisë dhe dinjitetit kolektiv? Është kjo rastësi, apo jemi në stinën e zhveshjes së turpshme nga fryma e etnisë së pambrojtur nga mjerkat, të cilave u konvenon katandisja jonë në shkallë vasalësh pa aftësi shtetformuese, që në fakt përligj elaboratet gjenicidiste të çubriloviqëve, veçmas kur shoqërohen me oportunizmin e pafalshëm të elitave politike e intelektuale dhe heshtjen e trimave të gjunjëzuar përunjshëm përpara zuzarëve, që tentojnë t’na nxjerrin nga lëkura personale për t’na kllumur kryeteposhtë n’kulet e tjetrit.

Situata është serioze, sepse nxitet ditpërditshëm nga një grusht klerikësh që bubullojnë me histeri antishqiptarizmin medieve dhe rjeteve sociale, duke shpëlarë kësisoj trutë e painformuar të njerëzve të dëshpërruar nga skamja dhe paperspektiva shumëdimensionale, duke konvertuar pushtuesit në çlirimtarë dhe çlirimtarët në armiq të kombit, duke mbjellur intolerancën ndërfetare, duke ia kundërvënë besimin fetar ndjenjave kombëtare, duke trilluar rrezikimin e fesë në një kohë kur na rrezikohet substanca etnike dhe vetë vatani, duke anatemuar gjithçka që rëndom anatemon pushtuesi, duke kultivuar filozofinë e robit, madje edhe ndër shpirtra të virgjër e të pastërvitur fëmijësh…, gjithnjë në emër të Zotit, i cili nuk ka nëvojë për truproja mercenarësh, që, me “heroizmin” infantile, e zhveshin edhe Atë nga tiparet më përfaqësuese – drejtësia, mirësia, mëshira, toleranca…

Këto dhe një mijë argumente të tjera që nuk i nxë shtylla e një kolumne, dëshmojnë se përdhosja e figurës së Skënderbeut është vetëm prologu i zulluve, para mësyemjes së hapur të Rilindjes kombëtare dhe ideologjisë që zgjoi nga hiri idenë e kombit dhe të shtetit shqiptar, duke na ruajtur nga zhbërja e plotë drejt së cilës na shtynin dhe na shtyjnë armiqtë e vjetër dhe të rinj të racës sonë. Pa këtë ide rrezikojmë të shkrihemi n’moçalet e të tjerëve, të humbim tapinë e vatanit, që, pavarësisht rrethanave, na bën të ndihemi zot në vatrat që Perëndia i bëri kismet për ne, t’u hapim udhë buletave njëkahëshe për kush e di se ku, pa mundësi kthimi të sërishëm në origjinë, të shndërrohemi në heronjtë më autentikë të vargjeve sarkastike, nëpërmjet të cilave Brehti i këndoi pasionit vetasgjësues:

Dhe viçat pas daulles

e hedhin çapin

lëkurën për daullen

vetë e japin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button