BDI në Kumanovë, kërkon nga Ahmeti organizimin e Kuvendit zgjedhor

Anëtarët dhe aktivistët e BDI-së së Kumanovës, kërkojnë sqarim nga kreu i BDI-së, për vonesat në procesin e zgjedhjeve të brendshme. Tashmë katër muaj, dega në Kumanovë ka hyrë në procesin e zgjedhjeve, kandidati është caktuar, mirëpo nuk është zgjedhur. Kandidati i vetëm për kryetar të kësaj dege, Xhemail Rexhepi pyet pse vonohen zgjedhjet brenda partiake. Rexhepi shtoi se faji për ngecjen e proceseve në Kumanovës, e ka struktura e vjetër e degës, transmeton Alsat.

“Struktura e vjetër, vetëm ikin qosheve. Ikin qosheve, i bëjnë listat, marrin emrat e njerëzve që duhet punësuar, ata emra nuk shkojnë dhe punësohet emra të tjerë. Nuk e di cila është arsyeja e kësaj, qytetarët kërkojnë sqarim, ndërsa ne nuk dimë çfarë t’i themi. Komandant Shqiponja, për çështjen e Kumanovës, për asnjë çast dhe asnjë milimetër nuk ka kthim mbrapa. Këtë le ta din të gjithë”, tha Xhemail Rexhepi, Kandidat për kryetar dege.
Edhe mbështetësit e Rexhepit shprehin shqetësimin e tyre për përfaqësimin e dobët dhe injorimin e kësaj dege.

“Të vetëdijshëm për vështirësitë në periudhën e kaluar, anashkalimin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe ish ushtarëve të UCK-së, nga strukturat maqedonase por edhe nga mos serioziteti i disa funksionarëve nga njësia numër 2, është interes i përgjithshëm kombëtar por edhe i BDI-së që procesi të përcillet me reforma dhe rritje të kualitetit dhe përfaqësimit.Fakti që jemi në muajin e 4 të zgjedhjeve, pa u respektuar datat e dhëna nga vetë koordinatori i njësisë zgjedhore, vështirëson funksionimin e mirëfilltë të degës”, tha Ferat Begu, Invalid i luftës.

Alsat M tentoi të marrë qëndrim nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, mirëpo, shefi i kabinetit të tij, Artan Grubi tha se nuk është në rrjedhë me zhvillimet e fundit nëpër degë. Nisma për mbajtjen e Kuvendin Zgjedhor kishte pasur edhe më parë por kishte dështuar për shkak të pakënaqësive të manifestuara që ishin përcjellë edhe me incidente mes fraksioneve.

Lajme të ngjashme

Back to top button