Bekim Balaj firmos deri në 2018 me HNK Rijekën (Foto)

Bekim Balaj është zyrtarisht një lojtar i HNK Rijekës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, ashtu siç kishte bërë të ditur Sport News, që këtë të mërkurë nënshkroi një kontratë dy vjet e gjysmë me nënkampionët e Kroacisë, duke i dhënë fund përvojës së tij në Çeki, ku muajt e fundit u aktivizua në radhët e Slavia Prague.

Nënshkrimi i sulmuesit të përfaqësueses u bë në selinë e klubit kroat, në prani dhe të menaxherit të lojtarit Shkumbin Cormemeti, transmeton Super Sport.

Balaj konsiderohet një blerje e rëndësishme për klubin e Rijekës, që shikon te ai zëvendësuesin ideal të Andrej Kramaric, që kaloi në radhët e anglezëve të Leicester për shumën e 10 milion paund.

Vetë Balaj një ditë më parë për Sport News në linjë telefonike u shpreh mjaft i kënaqur për këtë transfertë, duke e cilësuar Rijekën si një etapë të rëndësishme në karrierën e tij. Me Slavian e Pragës, Balaj luajti në total 13 ndeshje duke realizuar dhe 3 gola.

Në kampionatin kroat, por në radhët e Split, luan dhe sulmuesi tjetër i përfaqësueses, Sokol Cikalleshi, për të cilin kohët e fundit është folur shumë për një transferim të mundshëm në Serie A.

Bekim Balaj firmos deri në 2018 me HNK Rijekën

Lajme të ngjashme

Back to top button