fbpx

Francë, 88 mijë agjentë për kapjen e autorëve të masakrës

Autoritetet franceze kanë angazhuar 88 mijë forca policie, mes të cilave shumë njësi të forcave speciale, për gjetjen dhe arrestimin e autorëve të masakrës së një dite më parë në redaksinë e satirikes “Charlie Hebdo”.

Ndërkohe, ka rezultuar i rremë lajmi se dy vëllezërit franko-algjerianë Cherif dhe Said Kouachi ndodhen në lokalitetin Longpont, rreth 70 kilometra në veri të Parisit, të mbyllur në një shtëpi dhe të rrethuar nga policia.

Lajmin e ka përgënjeshtruar vetë xhandarmëria franceze. Megjithatë, gjuetia është përqendruar në fshatrat e Piccardia-s, rreth 60 kilometra larg kryeqytetit.

Më herët mediat lokale raportuan se dy vëllezërit me origjinë algjeriane kishin grabitur ushqime në një dyqan dhe më pas karburant në një stacion të vendosur në anë të një rrugë ndërurbane, jo shumë larg kryeqytetit.

Një dëshmitar okular, që thuhet se ka sinjalizuar policinë, tha se kishte parë se në mjetin tip ‘Renault Clio’ në të cilin këta dy persona udhëtonin, kishte edhe një armë automatike.

Në të gjithë Francën masat e sigurisë janë ngritur në maksimum dhe po ashtu niveli i rrezikut nga sulmet terroriste. Pallati presidencial Elize, por edhe redaksi të ndryshme mediatike e qendra tregtare jane “të blinduara”.

Në to vihet re një prani e shtuar e agjentëve të policisë dhe njësive ushtarake, të armatosura dhe të gatshme për cdo situatë.

Më herët gjatë së enjtes i dyshuari i tretë i ngjarjes që u mori jetën 12 personave, që mendohet se ka qenë shoferi i automjetit të atentatorëve, u vetëdorëzua./Top Channel/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close