Sela paralajmëroi ndërtimin e rrethit në hyrje të Strugës

Kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela , në prezantimin  e punës në 100 ditët e qeverisjes së tij, ka theksuar se një nga projektet e ardhshme të Komunës do të jetë ndërtimi i shtigjeve për këmbësorët dhe drejtuesit e biçikletave në krah të rrugës Magjistrale  Strugë-Dibër, e cila kohëve të fundit për shkak të mungesës së ndriçimit , por edhe specifikave tjera është bërë e kobshme për jetën e qytetarëve. Kështu vetëm këtyre muajve të fundit në këtë rrugë jetën kanë humbur dy persona.

Realizimi i këtij projekti është paralajmëruar që në fillim të  mandatit të Selës, ndërsa ai së fundmi ka marrë përkrahjen edhe të anëtarëve të Këshillit të Komunës së Strugës, kur është propozuar për realizim nga një këshilltar i VMRO-DPMNE. Për më tepër kryetari i Komunës së Strugës, në takimin me mediat, ka thënë se edhe rrjedha e Drinit në këtë pjesë të rrugës, në dy anët e saj, do të bëhet shëtitore për qytetarët.

Kryetari i komunës së Strugës, gjithashtu ka ngritur çështjen e ndërtimit të një rrethi në udhëkryqin që lidh Strugën me Ohrin, Dibrën dhe vendkalimin kufitar të Qafthanës, i cili gjithashtu shpesh është bërë vend aksidentesh me pasojë rrezikimin e jetës së qytetarëve. Ai ka kërkuar nga Ministria e Transportit, që së paku , siç tha ai, të japin lejen për ndërtimin  këtij rrethi, kur nuk duan të investojnë për qytetarët e Strugës.

Në këso kushtesh, qytetarët e Strugës janë në pritje të realizimit të këtyre projekteve, në mënyrë që siguria e tyre në komunikacion të rritet dhe qyteti të marrë frymë më lirisht, aq më tepër që është paralajmëruar edhe ndërtimi i një rrethi tjetër që do të lidh rrugën Kongresi i Manastirit me atë magjistrale. Kjo, kur të kihet parasysh që kryetari i komunës së Strugës, Ziadin Sela, ka thënë se këto projekte pritet të realizohen deri në fillimin e sezonit turistik, vitin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button