Lëvizja “BESA” ngre zërin për ndotjen enorme të ajrit në Tetovë

Lëvizja BESA nëpërmjet një konference ka ngritur zërin për ndotjen enorme të ajrit në Tetovë, duke e krahasuar me ndotjen e ajrit ne përmasa të njëjtë me qytetin e Irnait Ahvazi.

“Ahvazi në Iran ka arritur nivelin e ndotjes në shifrat 372 mikrogramë të substancës PM10, ndërsa në Tetovë kjo substancë ka arritur nivel rekord me 998 mikrogramë në metër kub”, deklaroi Afrim Gashi nga Lëvizja BESA.

Ai tha se Qeveria është në dijeni për faktin se “Jugohromi” vetëm vetë shkakton mbi 54% të ndotjes së ajrit në Tetovë, porse po lejon që kjo fabrikë të vazhdojë me helmimin e qytetarëve të Tetovës, duke “shkelur rëndë mbi të drejtat themelore njerëzore, të përcaktuara me të gjitha konventat ndërkombëtare.”

“Me këtë rast ia kujtojmë këtij pushteti se ai po shkel rëndë edhe mbi kushtetutën e vendit, të cilën ky pushtet sa nuk e ka shpallur të shenjtë, ndërsa aty shprehimisht në nenin 43 thuhet: ‘Secili ka të drejtë për mjedis të shëndoshë jetësor. Secili është i obliguar ta përparojë dhe ta mbrojë mjedisin jetësor dhe natyrën. Republika siguron kushte për realizimin e të drejtës së shtetasve për mjedis të shëndoshë jetësor.’”, tha Gashi.

Duke kritikuar Qeverinë për indiferentizëm, Gashi tha se BESA është e indinjuar se si një shtet demokratik sillet kështu ndaj qytetarëve të tij.

Ai kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Mjedisit Jetësor, Nurhan Izairi.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button