Vlorë, 50-vjeçari ‘luftë’ në bilardo për ish-gruan, plagos me kallash 3 persona

Dyshimi se ish-bashkëshortja e kishte tradhtuar ka çuar deri në marrëzi një 50-vjeçar nga Vlora, i cili ka vendosur të hakmerret për të vendosur nderin në vend. Gjergji Bucaj ka hyrë i armatosur me kallashnikov në një lokal (bilardo) dhe ka plagosur me breshëri plumbash dy djemtë e familjes Bombaj si dhe një tjetër. Në këtë ngjarje të rëndë të ndodhur mbrëmë në qytezën e Selenicës ka mbetur i plagosur rëndë dhe vetë 50-vjeçari Bucaj. Forca të shumta nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Vlorës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, hetuesit e çështjes deklaruan se ngjarja që tronditi Selenicën ka ndodhur për motive banale.
NGJARJA

Mbrëmë, rreth orës 18:53, Gjergji Bucaj ka shkuar i armatosur me kallashnikov në bilardon në pronësi të shtetasit G.Z., ku ndodheshin 43-vjeçari Edison Stavri Bombaj; 40-vjeçari Llambi Stavri Bombaj; 21- vjeçari Dorjan Mema dhe bashkëmoshatari i këtij të fundit, Igli Jaupaj. Sapo ka hyrë në lokal, 50-vjeçari Bucaj ka qëlluar në drejtim të personave të mësipërm. Në këtë moment njëri prej tyre (dyshohet për Igli Jaupajn) i ka kapur dhe hequr nga dora kallashnikovin Gjergji Bucajt dhe së bashku me të tjerët e kanë goditur atë me qytën e armës, steka bilardo dhe karrige, duke e plagosur rëndë. Si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit kanë mbetur të plagosur vëllezërit Edison dhe Llambi Bombaj si dhe Dorjan Mema. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e Selenicës, të cilët kanë sinjalizuar policinë. Katër të plagosurit janë dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku iu është dhënë ndihma e parë mjekësore. Sipas mjekëve të këtij spitali, vëllezërit Bombaj si dhe Mema janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Gjergji Bucaj ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
HETIMI
Pas ngjarjes, policia e Vlorës ka kryer kontrolle në banesat e personave që janë përfshirë në këtë ngjarje. Mësohet se në banesën e familjes Bombaj është gjetur dhe sekuestruar një automatik model 54. Në lidhje me këtë ngjarje është shoqëruar dhe marrë në pyetje Stavri Bombaj, babai i të plagosurve Edison e Llambi Bombaj. Gjithashtu, është shoqëruar dhe marrë në pyetje dhe 53-vjeçari Sokrat Qirjo, pasi dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor i Gjergji Bucajt. Pas kryerjes së hetimeve, ka rezultuar se ngjarja ka marrë shkas për motive banale. Sipas bluve, Bucaj ishte divorcuar dy vjet më parë nga bashkëshortja e tij. Ndërkohë (po sipas Policisë), Qirjo i ka thënë Gjergji Bucajt, se ish-gruaja e tij kishte lidhje sentimentale me njërin nga vëllezërit Bombaj. Kaq ka mjaftuar që 50-vjeçari të merrte kallashnikovin dhe të qëllonte ndaj tyre. Pas zbardhjes së motivit, Policia ka vënë nën hetim të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje. Pritet që të arrestohen 8 persona./GSH/

Lajme të ngjashme

Back to top button