Terror në Paris, sulmohet revista satirike “Charlie Hebdo”, 12 të vdekur, mes tyre 2 policë

Sulm i armatosur terrorist kundër redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo” në Paris.

Tre persona të maskuar me kapuç të zinj në kokë dhe të veshur me rroba të zeza, kanë hyrë në selinë e revistës satirike, e njohur për stilin e saj ironizues dhe provokues, duke hapur zjarr me armë automatike kallashnikov.

Në vendngjarje ka mbërritur policia. Sipas disa dëshmitarëve, duhet të jenë të paktën 12 viktima dhe 8 të plagosur, ku 4 janë në gjendje të rëndë. Mediet franceze bëjnë me dije se mes viktimave janë edhe dy policë, si dhe drejtori i revistës dhe tre karikaturistë.

FRANCE-CRIME-MEDIA-SHOOTINGTerroristët janë larguar me dy makina të ndryshme, të cilat i kanë grabitur nën kërcënimin e armëve. Ata janë larguar në veri të Parisit, duke e braktisur makinën në mes të rrugës.

Redaksia e revistës satirike ndodhet në qendër të kryeqytetit francez. Shkak i kësaj tragjedie dyshohet të jetë bërë një shkrim satirik kundër ekstremistëve islamikë.

Mësohet se revista ka publikuar ditët e fundit një karikaturë tallëse të liderit të Shtetit Islamik, ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi

article-2900259-247A2D0200000578-303_964x409Pamjet tronditëse tregojnë momentin që vritet një polic

Pas masakrës që kishin kryer në brendësi të redaksisë, terroristët kanë qëlluar sërish në momentin kur kanë dalë në rrugë, duke vrarë një polic francez, i cili ishte kishte shkuar në vendngjarje pas telefonatave të qytetarëve dhe gazetarëve.

Fillimisht dy personat me kapuç të zinj e qëllojnë nga larg efektivin francez, i cili shtrihet në tokë i plagosur, por pas pak sekondash një nga agresorët afrohet dhe e qëllon në kokë me kallashnikov duke e lënë të vdekur.

vraAgresorët thërrisnin “Allah u Akbar”

Gjatë sulmit me armë ndaj revistës franceze, atentatorët thërrisnin me të madhe teksa qëllonin me armë, “Allah u Akbar” dhe se “Do të hakmerremi për Profetin”. Këtë e dëshmojnë imazhet e xhiruara nga gazetari Martin Boudot, pamje të transmetuara nga televizionet franceze.

Fransua Hollande: Është një atentat terrorist

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, Presidenti i Francës, Fransua Hollande, ka shkuar në mjediset e revistës franceze, duke e cilësuar sulmin ndaj gazetarëve, si “të pështirë”.

“Franca është e tronditur nga ky atentat terrorist, sepse për këtë bëhet fjalë. Është një sulm kundër mendimit dhe shprehjes së lirë. Megjithatë ne do të jemi edhe më të bashkuar”, – tha Hollande, i cili paralajmëroi se në orën 14:00 do të ketë një mbledhje urgjente të qeverisë franceze.

-Presidenti i Komunitetit Mysliman: Krim i tmerrshëm

“Në emër të myslimanëve të Francës, thuajse në unanimitet të plotë, jam këtu për të dënuar tmerrin e këtij krimi të pabesueshëm”.

Kështu u shpreh Presidenti i Këshillit francez për kultin mysliman, Dalil Boubakeur, duke shtuar përpara redaksisë së “Charlie Hebdo” në Paris: “Përulemi para të gjitha viktimave të këtij krimi të tmerrshëm”, – shtoi ai.

Merkel: Sulm barbar ndaj Francës dhe shtypit të lirë

Një “sulm barbar”, jo vetëm ndaj qytetarëve francezë dhe sigurisë së Francës, por edhe për lirinë e shtypit dhe të shprehjes të kulturës demokratike. Me këto fjalë, Angela Merkel, ka shprehur të gjithë “tronditjen” e saj në një telegram për presidentin francez Fransua Hollande për atentatin “e pështirë” sot në Paris.

SHBA-të gati të ndihmojnë Francën për të kapur përgjegjësit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të vendosura të ndihmojnë Francën për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit në “Charlie Hebdo”, ka pohuar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë. “Franca, – ka thënë Josh Earnest për CNN, – është një aleat kurajoz i SHBA-ve në luftën kundër ekstremizmit islamik dhe e dimë se nuk do të frikësohet nga ky akt i tmerrshëm”.

rama-bushati1Reagon edhe politika shqiptare

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, dënon me vendosmëri atentatin e ndodhur në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, si një akt i rëndë terrorist që tronditi popullin francez dhe gjithë komunitetin e medias botërore.

Nëpërmjet një deklarate, Ministria e Punëve të Jashtme, nënvizon se asgjë nuk mund të justifikojë sulmin ndaj fjalës së lirë. Republika e Shqipërisë bashkohet me dhembjen e popullit francez dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe autoriteteve franceze.

Pas masakrës në Paris, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, edhe Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj ngjarjes së rëndë.

“Çfarë dhunimi për Francën e lirisë, barazisë, vëllazërimi,t kasaphana mbi redaksinë e gazetës së famshme satirike! Trishtim solidaritet revolte”, tha Rama.

Tre vjet më parë një tjetër atentat

Në nëntor 2011, redaksia e së përjavshmes është shkatërruar nga një bombë molotov dhe nga zjarri i shkaktuar nga shpërthimi.

Redaksia kishte njoftuar publikimin në formë të satirizuar të Profetit Muhamed në numrin e radhës, që do të quhej “Sharia Hebdo” në lidhje me fitoren e Partisë Islamike të Ennahada në zgjedhjet në Tunizi dhe vendimin e qeverisë së Libisë për të përdorur sharian si burimin kryesor të ligjit.

Në 2006-n karikatura kundër Muhamedit

Në vitin 2006, revista e përjavshme franceze “Charlie Hebdo”, shkaktoi polemika në Francë, por jo vetëm, duke publikuar një seri karikaturash të Profetit Muhamed, të publikuara më parë nga revista daneze  “Jyllands-Posten”.

Lajme të ngjashme

Back to top button