Bejtullai fillon me stërvitje të lehta

Mbrojtësi i djathtë i Shkëndijës, Egzon Bejtullai është duke u shëruar me sukses dhe tani më ka nisur të vrapojë, ndërkohë që ka patur edhe kontakte të lehta me topin. I dëmtuar rëndë në ndeshjen e xhiros së tretë me Horizont Turnovën, këputja e ligamenteve ndali hovin e Bejtullait që gëzonte formë shumë të mirë. Pas ndërhyrjes së kryer, si që është e zakontë për dëmtime të kësaj natyre, mjekët parashikuan 6 muaj mungesë nga terenet sportive. Gjithsesi duke parë se rekuperimi shkon sipas parashikimeve, pritet që Bejtullai të kthehet në afatin e paraparë në fillim të marsit. Tani kur kanë kaluar 5 muaj nga momenti i dëmtimit dhe operacionit, Bejtullai është në gjendje të vrapojë pa problem dhe të luajë lehtë më futbollin.

“Falënderoj Zotin që gjithçka po shkon si duhet dhe çdo ditë ndihem gjithnjë e më mirë. Kam kaluar me përpikmëri të gjithë fazat e rekuperimit dhe mendoj se ngadalë hyj në fazën e fundit. Dua të përmend se merita të mëdha në rekuperimin e suksesshëm përveç gjithë atyre që kanë punuar me mua, ka edhe fizoterapeuti turk Oktai Altun, i cili është angazhuar në skuadër pikërisht për raste të këtilla. Tani kur mundem të vrapoj dhe të kem kontakt me topin, jam optimist se do të kalojë edhe kjo periudhë e fundit, duke besuar se në pranverë do të mund të kthej formën time më të mirë“, deklaroi Egzon Bejtullai.

Anëtari i Shkëndijës dhe përfaqësueses U 21 të Maqedonisë do të jetë pjesë e ekspeditës ‘kuqezi’ në fazën përgatitore në Turqi. Fillimisht do të vazhdojë me programin e tij rehabilitues individual, ndërsa pritet që në fund të shkurtit ndoshta edhe të fillojë të ushtrojë bashkë me ekipin. Rrikthimi i Bejtullait pritet të jetë përforcim shtesë në skuadër, kur dihet se në sezonin vjeshtor zhvilloi vetëm dy ndeshje kampionale.

Lajme të ngjashme

Back to top button