Sulmi në Paris, dënohet fuqishëm nga autoritetet shqiptare

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me vendosmëri atentatin e ndodhur sot në selinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris, si një akt i rëndë terrorist që tronditi popullin francez dhe gjithë komunitetin e medias botërore. Ministria e Punëve të Jashtme nënvizon në një njoftim për shtyp se asgjë nuk mund të justifikojë sulmin ndaj fjalës së lirë.

“Republika e Shqipërisë bashkohet me dhembjen e popullit francez dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe autoriteteve franceze,” thuhet në njoftim. Edhe kreu i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar për aktin terrorist të ndodhur sot në Francë. Meta e konsideroi atë një akt shumë të rëndë terrorist dhe si të tillë, të dënueshëm. Sulmin e kanë dënuar edhe zyrtarët e lartë të Kosovës. Në faqen e saj në rrjetin Facebook, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se ky sulm është “akt i tmerrshëm terrorist ndaj vlerave që i përqafojmë dhe që duhet t’i mbrojmë”, dhe ka shtuar se “Kosova qëndron me Francën, solidarizohemi me familjet e viktimave”.

Ministri i jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi gjithashtu në Facebook ka shkruar se është i shokuar nga sulmi terrorist në Paris. ‘Derisa presim informata më të hollësishme nga kjo tragjedi, Kosova qëndron pranë Francës, kësaj kampione të humanizmit, lirisë dhe barazisë. Forcat e errëta kurrë nuk do të fitojnë, frika dhe terrori kurrë nuk do ta mund shpresën dhe lirinë. Populli dhe shteti i Kosovës është i bashkërenduar me Francën dhe francezët në këto çaste të vështira, ka shkruar Thaçi.

Lajme të ngjashme

Back to top button