fbpx

Eurozona në deflacion: Çmimet ranë me 0.2% në dhjetor

Inflacioni në eurozonë ka marrë të tatëpjetën dhe është kthyer në deflacion, sipas shifrave zyrtare nga Eurostat, teksa çmimet e mallrave në dhjetor kanë qenë 0,2% më të ulta se sa i njëjti muaj i një viti më parë.

Rënia në deflacion pritet me shumë mundësi të nxisë veprime të mëtejshme nga Banka Qendrore Europiane, për të stimuluar ekonominë e unionit të monedhës së përbashkët.

Objektivi bankar i inflacionit ka qenë i ulët, por shumë pranë 2%. Ndërsa rënia e çmimeve është diktuar kryesisht nga ulja e kostove energjitike, pas rënies drastike të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

Çmimet e energjisë në dhjetor kanë qenë 6,3% më të ulta se sa një vit më parë. Nëse do të përjashtohej ky zë (çmimi i energjisë), norma e inflacionit gjatë dhjetorit për eurozonën do të ishte 0,6%, po aq sa në nëntor.

Çmimet e ushqimeve, alkoolit dhe duhanit ishin përllogaritur të mos ndryshonin nga një vit më parë, pasi u rritën me 0.5% në nëntor. Sa u përket çmimeve për shërbimet, që mbeti i pandryshuar gjatë nëntorit, janë rritur me 1,2% në muajin e fundit të vitit 2014, krahasuar me dhjetorin e 2013-s.

Kjo është hera e parë që eurozona kalon në deflacion, që prej pikut të periudhës së krizës financiare në vitin 2009. Përllogaritjet nga Eurostat, zyra statistikore për Bashkimin Europian, do të përditësohen në vijim të këtij muaji. Në një tjetër njoftim, Eurostat raportoi se papunësia mbeti në shifrat 11.5% gjatë nëntorit, e pandryshuar që prej tetorit 2014. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close