Bota solidarizohet me francezët. Valls: Kurrë s’jemi kërcënuar kaq rëndë

Pas masakrës së ndodhur në Paris ndaj redaksisë së revistës satirike, Kryeministri Manuel Valls ka thënë se deri më sot Franca “nuk është përballur kurrë me një kërcënim kaq të lartë të lidhur me terrorizmin”.

Kanë reaguar gjithashtu edhe Kryeministri britanik, i cili e cilësoi masakrën e sotme si veprim prej të sëmurësh. “Vrasjet në Paris janë revoltuese. Jemi përkrah popullit francez në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtje të lirisë së shtypit”, tha David Cameron.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka dënuar gjithashtu masakrën e terroristëve në selinë e revistës franceze në Paris, duke e quajtur atë si një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit.

“Ky akt i neveritshëm nuk është thjesht një sulm ndaj jetëve të qytetarëve francezë dhe sigurisë së tyre – tha Merkel në një deklaratë. – Ai është gjithashtu një sulm ndaj lirisë së fjalës dhe të shtypit, elementë kyç të kulturës sonë demokratike. Në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohet një veprim i tillë”. Në një deklaratë më vete, zëvendëskancelari Sigmar Gabriel e quajti sulmin një “krim të pabesueshëm brutal”.

Ndërsa kryeministri italian, Matteo Renzi ka thënë se “horrori dhe lemeria pushtoi rrugët e Parisit. Shprehim mbështetjen tonë për Francois Hollande dhe Anne Hidalgo në këtë moment të tmerrshëm. Dhuna do të humbasë gjithmonë, përkundrejt lirisë dhe demokracisë”, ka thënë lideri italian.

Edhe ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni ka shprehur indinjatën e tij: “Është një akt terrorist i përmasave të çmendura. Qeveria italiane shpres solidaritetin me popullin dhe qeverinë franceze. Gjëja më e rëndë është pikërisht revolta ndaj një medieje me një zë të fuqishëm, ndaj dhe mund të konsiderohet si një akt terrorist për shkak të publikimeve të ditëve të fundit”./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button