Kosova para kolapsit socio-politik

Ç’thotë Teoria e Kaosit mbi Kaosin Social dhe Politik në Kosovë? Jo nga  një parashikim nostradamusian për të  ardhmen e këtij vendi, por nga një gjykim teorik. Kësisoj Kosova dhe Kaosi janë bërë sinonime për momentin dhe simbiozë e njëra-tjetrës.

Edward Lorenz, njihet si krijues i Teorisë së Kaosit.  Teoria e Kaosit, e parashtruar nga ai  e cila mund të njihet edhe si ‘Efekti Flutur’qëndron mbi këtë koncept: ‘A mundet që përplasja e krahëve të fluturës në Brazil të bëhet shkak për stuhi në Teksas’? Kjo Teori, përmban në vete nocione si: trazira, kompleksitete, ç’rregullime, kriza, ngërçe e fenomene tjera të ngjashme. Pikëpamja e Edward Lorenz-it, qëndron në këtë devizë: ‘Një ndryshim sado i vogël në kushtet fillestare sjell ndryshime të mëdha në kushtet afatgjate’.

‘Krahët e Fluturës’, rrahën nga një anë! Dhe shkaktuan këtë situatë socio-politike. Sipas Teorisë së Kaosit  kjo në fakt i bie që është  parastituatë. Këto janë pikërisht hapat dhe lëkundjet e para  ku mund të fillojë Stuhia, që është vetë si pasojë e së kaluarës! Dhe pikërisht e kaluara është ajo që formon të ardhmen. Ngërçi politik që mbizotëroi në Kosovë afër gjashtë muaj nuk ishte  shkak i së tashmës por i së kaluarës! Kësisoj duhet të kthehemi në prespektivën historike që të gjejmë problemin, dhe mu aty ku ‘rrahën krahët e fluturës’.
Ndoshta duhet të khehemi pesë shekuj prapa. Apo edhe në fillet e shfaqjes dhe formimeve të shtet- kombeve. Kësisoj është e pamundur njëherësh të kuptojmë, deri sa do të vie dita kur e ardhmja do të përcaktojë fatin e  këtij shteti. E kaluara mbetet e hidhur gjithësesi. Dhe sipas rrjedhojës asgjë nuk është në krahasim mbi atë që do të jetë e  ardhmja. Situata politike dhe shoqërore në Kosovë është para kolapsit politik dhe atij shoqëror. Vetëm emri shtet i ka mbetur dhe mbi të gjitha gjithnjë i njohur edhe para botës si një shtet formal pa substancë dhe pa ndonjë ndikim në rajon. Institucione të formuara aq panatyrshëm dhe me  rrjedhë të paparashikuar. Të paparashikurat dhe të   panatyrshmet  janë pikërisht kompleksitete dhe çrregullime që flet vetë Teoria e Kaosit.

Kushti fillestar  i çdo problemi qoftë politik apo social dhe sado i thjeshtë të duket në vështrim të parë  kërkon zgjidhje në kohën dhe momentin e duhur. Duhet të gjendet mënyra dhe rruga mbi ndryshimin e realitetit politik dhe shoqëror përndryshe do e pësojmë keq. Shkuar edhe më tej kërkohet ndërhyrje edhe ndryshim për një realitet të ri historik. Kjo vlen sidomos për gjeneratat e ardhshme! Ndikim më të madh negativ  do të ketë pikërisht koha kur do të vijë Stuhia në një të ardhme të afërt ku shteti mund të fundoset krejtësisht. Kërkohet ndërhyrje me kohë në momenetin e duhur. Pikërisht atëherë kur shfaqet problemi. Jo atëherë kur një probem fillon të prodhojë probleme të reja. Dhe atëherë kur këto probleme në shumicë të reduktohen dhe vështrohen si një problem i vetëm.
Përderisa, ‘atje larg’ , rrahën ‘krahët e fluturës’ aq lehtësisht dhe butësisht , ‘këtu-këtej’ Stuhia do të vie!

Driton Gashi (Drejtor Ekzekutiv i OJQ-së, ‘Grupi për Studime, Analizë dhe Hulumtime Sociale’-SOCIO)

Lajme të ngjashme

Back to top button