“Titaniku” i përjetuar në Norman Atlantic, shqiptarët që ndihmuan pasagjerët

Sokrat Qëndro (1947) është me orgjinë nga qyteti i Gjirokastrës. Ai është larguar nga Shqipëria në vitin 1991 drejt Italisë, si emigrant. Gjatë tetë viteve të para ka punuar në mirëmbajtjen e tubave të naftës, ndërsa gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit ka punuar, edhe vazhdon që të punojë në një firmë për pjesë këmbimi, për makina.

Ai është një nga 466 personat që udhëtonin në bordin e tragetit “Norman Atlantic”, të linjës Igumenicë (Greqi), që ishte duke udhëtuar për në Ankona të Italisë, në datë 28 dhjetor 2014. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, 47-vjeçari rrëfen momentet e tmerrshme, që ka përjetuar gjatë atyre orëve të gjata (03.00-12.00), por edhe imazhet që ruan ende të ngulitura në kujtesë pres asaj ngjarje.

Sokrat fillimisht gëzohemi që jeni mirë. Do donim të dinim diçka më tepër për ju. Nga cili qytet jeni, dhe kur jeni larguar nga Shqipëria?

Unë jam me orgjinë jam nga Zagoria e Gjirokastrës dhe emigrimin e kam nisur mbas viteve ’91. Qysh para 23 vjetësh jam sistemuar në Milano dhe kam një djalë. Fillimisht nisa punë në një ndërmarrje ku merresha me mirëmbajtjen e tubave të naftës. Aty punova për tetë vjet radhazi. Aktualisht jetoj dhe punoj në Milano, në një firmë për pjesë këmbimi makinash, prej 15 vjetësh.

Ktheheni shpesh në vendlindje?

Unë zakonisht vij në gusht në Shqipëri, sepse katër vëllezër i kam këtu afër dhe në të shumtën e rasteve vijnë dhe shkojnë babai me mamanë, prandaj nuk është se vij shpesh, por vetëm një herë në vit. Në Gjirokastër shkoj për të takuar të afërmit e tjerë.

Kësaj here që ishit duke udhëtuar me tragetin “Norman Atlantic”, ishin në Greqi?

Udhëtimi im me “Norman Atlantic” ishte sepse gjatë atyre ditëve unë ndodhesha në Greqi për të takuar mamanë, e cila jeton atje. Bëra rreth një javë me të, edhe ditën e shtunë në mbrëmje që nisej trageti “Norman Atlantic” në orën 17.30, unë duhet që të largohesha për t’u kthyer në shtëpinë time në Itali.

Por në çfarë ore e kuptuat atë që po ndodhte në tragetin ku ju gjendeshit?

Për gjendjen konkrete të tragetit nisëm që të kuptonim rreth orës 3.30, kur dëgjuam dhe pamë rrëmujën që po bëhej. Deri atëherë askush nuk na kishte dhënë asnjë alarm. Në orën 3.30 hapa derën e dhomës dhe dola përjashta ku pashë se kishte shumë njerëz që rrinin aty. U futa me vrap brenda në dhomë për t’u veshur, por edhe për të sistemuar dokumentet, sepse mendova se rrezik do ktheheshim mbarsh, nuk i dihej.

Përsa kohë vazhduat në këtë situatë. Kur i morët sinjalet e para për ndihmë?

Qysh nga ai moment ngela përjashta, nga ora 3.30 deri në 12.00 nuk kemi patur asnjë ndihmë. Nga ora 10.00 erdhi një avion ushtarak, bëri nja dy-tre xhiro edhe iku. Mbas 30 minutash erdhi përsëri një helikopter grek, por edhe ai iku. Rreth e rrotull kishte nja dy anije, por ato nuk afroheshin dot sepse kishte shumë dallgë. Atë natë dallgët arrinin të paktën mbi 18 metra. Ndërkohë ne vazhdonim që të rrinim aty, pa rroba, pa asgjë, derisa fillimisht erdhi një helikopter italian. Në atë moment unë kam qenë bashkë me vlonjatin Riza Çela, edhe me një djalë tjetër, që nisëm të ndihmonim njerëzit një dhe nga një, apo dy dhe nga dy për t’i ngjitur sipër. Këtë gjë e kemi bërë nga ora 12.00 deri në orën 16.00. Gjatë kësaj kohe u bëmë telefë nga uji që hidhej për shkak të mjeteve që ishin rreth e rrotull. U lagëm shumë dhe kjo ishte më e keqja. Në fund kur na ngarkuan në helikopter për në Itali ngelëm vetëm 7 veta. Fillimisht na çuan në zonën ushtarake të helikopterit, edhe më pas nga spitali në shtëpi.

Gjatë udhëtimit ishit vetëm apo kishit edhe pjesëtarë të tjerë të familjes?

Gjatë këtij udhëtimi kam qenë vetëm unë.

Domethënë në traget keni lënë vetëm sendet tuaja personale, apo edhe ato jua kanë kthyer?

Unë kam makinën në traget, por si unë janë edhe shumë të tjerë. Po presim se çfarë lajmesh do të na japin për gjërat tona, por deri tani jemi ende në pritje. Nuk na kanë lajmëruar ende, as se çfarë do të bëhet, as se kur do të na i kthejnë.

“Ishim 466 veta mes zjarrit dhe ujit në 200 m vend, nuk dinim nga të shkonim”

Nëse riktheheni në kohë, cili ka qenë personi i parë apo ndjesia që keni përjetuar në ato momente?

Direkt më ka shkuar mendja te djali. Në atë rast nuk ke se çfarë të mendosh, duhet vetëm që të lëvizësh të bësh diçka. Por nga ora 3.30 deri në 12.00 lloj-lloj mendimesh më vinin. Frikën më të madhe e kishim mos merrte flakë anija, sepse lart ishin rreth 20 kamionë. Unë di se në kamionë kanë qenë rreth 20 cisterna të ngarkuara me vaj ulliri, plus asaj që kishin kamionët në serbatorin e tyre. Për mua kjo ishte frika më e madhe, por ekzistonte edhe frika se mos anija mund të hapej në ndonjë krah dhe mbushej me ujë. Ne derisa ishim mbi ujë ishim mirë, por nëse ndodhte diçka atëherë nuk kishim ku të shkonim tjetër. Deti me ato dallgë ishte shumë i rënduar.

Çfarë imazhi apo shprehje të dëgjuar gjatë atyre orëve në traget keni fiksuar në kujtesën tuaj?

Në ato momente mendonim vetëm se si mund të largoheshim. Ngado që ktheja kokën ishte një gjendje shumë e keqe, sikurse thashë dallgët arrinin 18 m. Tymi nga njëra anë bënte që mos të merrje dot frymë, cisternat ishin tmerr më vete, se mos hapeshin nga momenti në moment. Aty gjendeshim në një situatë si puna e minjve kur nuk kanë nga të shkojnë. Prandaj ishte fat i madh që erdhën helikopterët për të na marrë, sepse anijet përreth e kishin të pamundur që ta na afroheshin për të na ndihmuar për shkak të dallgëve.

Ndihma ishte për të gjithë njëlloj. Ka zëra nga ata që thonë se ka patur shtyrje të grave dhe fëmijëve. Është e vërtetë kjo?

Në ato momente ne vetëm ndihmonim njëri-tjetrin, nuk mendonim se kë, apo se nga cili shtet ishte njëri apo tjetri. Unë kam edhe filmimet. Fillimisht iknin gratë dhe burrat ishin të gjithë ulur. Rizai u largua para meje, derisa edhe unë u largova nuk ka patur asnjë lloj problemi të tillë. Por duhet që të imagjinoni se ishin rreth 400 veta në 200 metra vend, që nuk kishin edhe nga të shkonin. Por që të ziheshin, apo që të shtynin kjo jo nuk ka ndodhur, të paktën deri në orën 16.00 që unë isha atje.

Janë thënë shumë versione të ngjarjes, por ju personalisht a keni parë ndonjë teksa hidhej në det?

Nuk ka patur asnjë situatë të tillë. Ata që janë hedhur në det, janë vetëm atë që kanë qenë nëpër kabina. Nuk kanë qenë të informuar, por kanë parë flakë dhe janë hedhur. Nuk ka patur të hedhur nga pasagjerët që kanë qenë sipër asnjë person. Kishte nga ata që gjatë orëve të para të mëngjesit tentonin që të hidheshin sepse shikon flakë, por ata i qetësuam, sepse afër tyre kishte gra edhe kalamaj, që mund të frikësoheshin. Ata që janë hedhur nga dritaret nuk i ka parë askush.

Fillimisht gjendja juaj psikologjike ka qenë e rënduar. Ajo që keni kaluar ka qenë e vështirë, por sot pas kaq ditësh a e mendoni më atë situatë?

Fillimisht ne ndihmonin njerëzit fëmijët edhe gratë, për t’i dërguar drejt helikopterit. Por kur hipëm edhe vetë në helikopterë pamë se çfarë kishim kaluar. Arrinim që të shikonim pompat e ujit që na hidheshin lart, edhe pse temperatura ishte e ultë, nën zero gradë celsius.

Dhe së fundmi, a jeni rikthyer në punë normalisht?

Unë kam qenë mirë. Kam patur probleme vetëm me gjumin. Qysh kur ka ndodhur ngjarja deri më sot unë nuk fle më shumë se dy-tri orë në natë. Netët e para nuk e ndieja shumë, por sa më tepër që kalojnë ditët, më shumë më vijnë në mendje imazhet edhe situatat që kanë ndodhur. Së fundmi, nëpërmjet gazetës “Shekulli” dua që të falënderoj konsullin e Përgjithshëm në Bari, Ermal Dredhën, i cili sapo e mori vesh për ne shqiptarët erdhi menjëherë për të na takuar./ SHEKULLI/

Lajme të ngjashme

Back to top button