Thaçi: Serbët të zgjohen nga ëndrrat, Kosova 7 vite pavarësi

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi deklaroi të mërkurën se sa herë Serbia pretendon të bëjë zhurmë politike për gjoja prezantimin e planeve të saj për ofrimin e zgjidhjes përfundimtare për Kosovën, më tepër forcohet bindja se sa të vështirë e ka Serbia ta tejkalojë mentalitetin ekspansionist të shekullit të kaluar.

Në një postim në rrjetin social Facebook tha se këto plane të dështuara nuk janë befasi, ashtu, siç nuk janë as për ato shtete demokratike të botës që kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë.

“Ne vetëm mund të shfaqim zhgënjimin tonë për ekzistimin e mëtejmë të kësaj qasje nga një shtet fqinjë i cili pretendon të bëhet pjesë e familjes evropiane. Ndërsa, dihet shumë mirë se cilat janë arsyet dhe parimet mbi të cilat është themeluar dhe funksionon Bashkimi Evropian. Mirëpo, ne do t’i ndihmojmë fqinjit tonë verior që të dal nga mentaliteti i shekullit të kaluar, duke ia bërë të qartë se Kosova ka 16 vite që është e lirë dhe 7 vite si shtet i pavarur i njohur nga pjesa më e madhe e shteteve të botës”, shkruan Thaçi.

Ai tha se Kosova është e vendosur të ecë përpara drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. “Ndërkohë, ne shpresojmë se politikanët në Beograd do të zgjohen sa më shpejt nga ëndrrat e tyre dhe ta kuptojnë që Kosova si ankth i krijuar në mendjet e tyre, tashmë ka përfunduar. Disa e kanë kuptuar këtë fakt shumë kohë më parë, ndërsa të tjerët mbetet ta bëjnë të njëjtën gjë sa më parë”, shprehet Thaçi./BW

Lajme të ngjashme

Back to top button