BALLKANI DHE GJENDJA E PASKOHËS

Postmodernizmi lindi shkaku i ndryshimeve që ndodhën në botën e ndarë në blloqe politike, kurse si lëvizje e thekson pluralizmin e stileve dhe dyshimin kundrejt ideologjive.

Në Ballkanin e trazimeve të mëdha, ndryshe prej vendeve post-industrialiste, theksohet prirja ndaj ideologjive, veçmas atyre ksenofobe, pra frikës nga e huaja.

Në Ballkan është bërë modë të flitet për postmodernizëm, por është mbizotëruese prirja ndaj origjinalitetit dhe autorësisë së pretenduar (të miteve, legjendave, heronjve etj.) dhe jo dyshimi ndaj origjinalitetit, sikundër ndodh me qasjen postmoderniste.

Së këndejmi, nga ky aspekt, qasja postmoderniste, që dekompozon mitin e origjinalitetit, mbetet e largët për ballkanasit, si pjesë e një rajoni ndasish të thella kombëtare, si pasojë e përplasjeve të mëdha historike.

Në Ballkan kemi konflikte të hapura ose të fjetura, me rrënjë të thella në histori.

Konfliktet me rrënjë të thella historike zgjidhen vështirshëm.

Në Ballkan historia nuk është dialog, por burim tensionesh e zënkash.

Dokumentari “E kujt është kënga” dëshmon të sipërthënën.

Ky dokumentar flet për antagonizmat ndërmjet ballkanasve, të cilët më shumë se sa të shijojnë këngën, pra të bukurën, zihen për autorësinë e saj. Secili dëshiron secilit t’i dëshmojë kush është “superiori”, kush është “më i miri”.

Ndonëse shkenca hedh poshtë problemet e superioritetit, ballkanasit potencojnë të kundërtën.

Miti ka triumfuar mbi shkencën.

Përse ballkanasit e theksojnë “origjinalitetin” e tyre? Përse Ballkani, sikurse është thënë shumë herë, prodhon më shumë histori se sa mund të durojë?

Ballkanasit gjenetikisht nuk dallojnë prej popujve të tjerë evropianë. Marrëzitë e ndodhura në Ballkan, kanë ndodhur paraprakisht në vendet tjera europiane. Për dallim: në Ballkan kanë ndodhur shumë më vonë. Popujt e Ballkanit e theksuan “mitin e autorësisë” ngase ndarjet e kufijve shtetërorë, pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, u formatuan edhe sipas parimit të autoktonisë, por u anashkaluan nga fuqitë e mëdha, të cilat, më shumë se sa zgjidhjen e përhershme të problemeve, synonin realizimin e ndikimit të tyre në zona të caktuara të Ballkanit. Varësisht ku kishin interes aty i ngulnin kufijtë dhe “shkruanin” historinë e re. Ndërkohë për ballkanasit u krijuan shumë stereotipa nga qarqe të ndryshme politike, diplomatike e kulturore europiane. Përgjithësimi i këtij realiteti ndodhi pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, kur në Europë filloi procesi i demonizimit total të gjithçkaje që ndërlidhej me këtë perandori. Nëpërmjet këtij demonizimi, sikurse thotë Mark Mazower, në librin e tij mbi Ballkanin, Europa po krijonte identitetin e ri…

Ballkanasit duke jetuar pranë njëri tjetrit me shekuj, pavarësisht se dihet kush erdhi aty më vonë, për çka historia e ka dhënë fjalën e vet, kanë dhënë e kanë huazuar ndërmjet tyre. Kanë dhënë e huazuar jo vetëm virtyte, por edhe vese. Kanë pranuar vlera prej sistemeve të ndryshme kulturore apo u kanë dhënë vlera atyre, për sa kohë sistemet kulturore nuk janë të izoluara. Kanë shtegtuar tema e motive nga njëri sistem drejt sistemit tjetër kulturor, nga njëri epos në eposin tjetër. Kanë shtegtuar legjenda, mite e përralla. Ballkanasit kanë huazuar ndërmjet tyre dhe huazimet e ndryshme i kanë përshtatur. Huazimet e këtilla nuk janë dobësi, as inferioritet, përkundrazi janë shenjë emancipimi kulturor.

Ndonëse popujt e Ballkanit kanë specifikat e veta, gjithashtu kanë gjëra të përbashkëta, por në përgjithësi dallimet kulturore në Ballkan nuk janë pranuar si pasuri, por si rrezik. Së këndejmi, në këtë territor, ndodhin rrallë akte pajtimi e solidariteti. Më shpesh ndodhin akte të shëmtuara, që si çdo akt i këtillë bën bujë të jashtëzakonshme. Politika gjithmonë e ose e ka nxitur ose e ka shfrytëzuar këtë ndjeshmëri.

Popujt e Ballkanit janë të ndryshëm, kurse kjo laramani duhet të pranohet nga të gjithë, sepse udha e formësimit të tyre historik ka qenë e ndryshme. Është mungesë mençurie nëse themi se të gjithë popujt e Ballkanit janë të njëjtë. Përkundrazi, kanë etnopsikologji të ndryshme, kanë kultura të ndryshme, gjuhë të ndryshme, kanë mite të ndryshme autentike, zakone e tradita, doke e rituale të ndryshme. Kanë specifikat e veta edhe në aspektin religjioz. Shikuar nga ky drejtim ballkanasit janë të ndryshëm nga njëri tjetri, ndonëse kanë edhe gjëra të përbashkëta. Akti i pajtimit mund të nis qoftë duke u bazuar te dallimet, qoftë duke u bazuar te specifikat ose më mirë te të dyja bashkë.

Të flasësh për akte pajtimi, në një kohë kur në Ballkan kemi lëvizje ksenofobe, është njëfarë çmendurie. Megjithatë po në çaste të këtilla historike, Ballkanit i duhen heronj paqeje e jo heronj lufte. I duhen heronj paqeje sepse me triumfin e paqes triumfon edhe mendimi.

Pavarësisht se çfarë thuhet, sot kemi situatën kur sërishmi fuqizohen grupime ksenofobe. Kemi parti serbe që nuk shprehin kurrfarë brerje ndërgjegjeje për krimet e bëra ndaj popujve të tjerë. Kemi “Agimin e Artë” në Greqi, ithtarët e së cilës dukeshin si grup ordinerësh, sharlatanësh, por sakaq u faktorizuan nëpërmjet votës së lirë. Kemi rastin e njëjtë edhe në Maqedoni.

Faktorizimi i tyre shpjegohet lehtë: vendet janë jo vetëm në krizë ekonomike, por edhe morale. Në kohë krize mobilizohen më lehtë të pakënaqurit. Krijohet hapësirë për triumfin e ideve të këtilla të mbrapshta.

Ne e dimë se si Hitleri e shfrytëzoi krizën dhe u fuqizua. U fuqizua nëpërmjet adhurimit. Një komb i qytetëruar, që botës i dha emra të mëdhenj në art, shkencë, muzikë, filozofi, u magjeps nga ideologjia  naziste, sepse turmat kërkonin ndryshime të shpejta, sikurse vepron çdo turmë.

Nisur nga shkaqet e mësipërme nuk duhet çuditur nëse në Ballkan ende fuqizohen grupimet ksenofobe…

Frika nga e huaja i bën keq kombit, sepse kombet nuk zhvillohen duke u mbyllur në traditën e vet dhe pa qasje kritike ndaj saj, por duke huazuar vlera eprore që krijohen në sisteme të ndryshme kulturore. Prandaj nuk do të doja që në hapësirën tonë të lindnin grupime të këtilla. Megjithatë, ne duhet që të bëjmë dallimin ndërmjet lëvizjeve kombëtare prej lëvizjeve ksenofobe. Lëvizjet kombëtare e theksojnë dashurinë ndaj kombit të tyre, por nuk shprehin urrejtje ndaj kombeve të tjerë. Për dallim nga lëvizjet ksenofobe, që ushqehen nga urrejtja dhe frika ndaj kombeve të tjerë.

Ashtu sikurse lëvizjet ksenofobe, sot më trishtojnë edhe disa kozmopolitë, veçmas disa kosmopolitë shqiptarë.

Në emër të një relativizimi të ideve kombëtare shtiren se i duan të tjerët, ndërkohë e përçmojnë vetveten.

Ksenofilistët e këtillë, në fakt, janë të dëmshëm sa ksenofobët.

Nuk besoj se ai që përçmon dhe urren vetveten mund t’i adhurojë të tjerët.

Nuk u besoj dekonstruktuesve të miteve kombëtare në emër të humanitetit gjithënjerëzor. Ka këtu një dhelpëri të madhe. Po kjo është një temë tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button