Të huaj ndaj shpërndarjes së të ardhurave dhe të njohur ndaj mbledhjes së tatimeve

Është fakt i njohur se investimet shtetërore në rajonet shqiptare janë të huaja për shqiptarët, kurse investimet e huaja nëpër vendbanimet shqiptare janë investime të panjohura për shqiptarët. Prandaj unë mendoj se padrejtësia ndaj shqiptarëve në Agjencinë për Investime të Huaja është e kuptueshme, edhe pse jo ligjore. Them kështu, sepse në Maqedoni kemi edhe padrejtësi ligjore!

Unë edhe më herët pata shkruar se shteti i vërtetë i shqiptarëve të Maqedonisë është diku në mërgim. Mërgimtarët tanë ia mbulojnë vrimat buxhetit shtetëror. Ata merren me rregullimin e ndriçimit publik nëpër vendet tona. Ata si në të kaluarën, ashtu edhe sot, rregullojnë shkolla e xhamia. Ata rregullojnë (lexo: financojnë) lidhjet telefonike dhe ato të internetit. Ata shtrojnë rrugë e kanalizime. Ata i mbajnë gjallë familjet e anashkaluara prej projekteve shtetërore.

Kësodore, maqedonasit nuk kanë nevojë ta marrin rrugën e mërgimit, sepse shteti bëri e po bën çmos që ata të mos mbesin të papunë. Fjala vjen, “Jugohromi” helmues nuk mund të mbyllet aq lehtë, mbase fare, sepse 80 për qind e të punësuarëve janë maqedonas. Mësuesit maqedonas nuk përjashtohen prej pune edhe atëherë kur tërësisht mungojnë nxënësit maqedonas. Me këtë rast, nuk mbetet gjë tjetër ku patjetër nxënësit shqiptar duhet ta mësojnë mirë maqedonishtën dhe t’i nënshtrohen mësimeve të mësuesëve maqedonas. Ata do të vazhdojnë kështu, përderisa neve na përfaqësojnë ata që si ideal të vetëm e kanë paranë dhe si synim të vetëm e kanë mbushjen e xhepave të tyre me lëndën e idealit. Sinqerisht, unë nuk e di se si ndihet një mësues, arsimtar, drejtor, shërbëtor, profesor, dekan e rektor kur ta mendojë se Ministër i Arsimit është Adbylhaqim Ademi, që po ta shikosh më me hollësi, del që as si pastrues shkolle nuk do të bënte të bëhet.

Lajme të ngjashme

Back to top button