fbpx

Strukturat paralele, Prishtina i drejtohet Brukselit

Qeveria e Kosovës i është drejtuar Bashkimit Europian për të protestuar ndaj vendimit të qeverisë së Serbisë për fuqizimin e strukturave paralele në veri të Kosovës.

Nëpërmjet një komunikate bëhet e ditur se minsitrja për dialogun, Edita Tahiri i ka dërguar një shkresë Brukselit, përkatësisht zotit Fernando Gentilini, në të cilën ka kërkuar që BE të ndërmarrë të gjitha masat për të ndalur ndërhyrjen e Serbisë me struktura paralele në Kosovë.

Në letrën e saj ministrja Tahiri vlerëson se, Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, duke ngritur e mbështetur njësi ilegale serbe në Republikën e Kosovës.

Ministrja Tahiri kujton se për të njëjtën çështje i është drejtuar BE-së edhe për vendimet e vitit të kaluar të administratës serbe, konkretisht për katër komunat në veri të vendit.

“Serbia ka vazhduar t’i mbajë strukturat paralele edhe në katër komunat veriore, për të cilat qeveria e Kosovës e ka njoftuar në vazhdimësi Bashkimin Evropian, edhe në raportin mbi gjendjen e implementimit të Marrëveshjeve të Brukselit, dërguar në tetor 2014”, theksohet në komunikatën e qeverisë.

Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime të Serbisë janë tërësisht destruktive dhe kanë për qëllim përmbysjen e arritjeve të shumta nga procesi i dialogut dhe cënimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Nga ana tjetër, Prishtina zyrtare nuk ka paralajmëruar ndonjë masë për kryetarët e komunave që kanë pranuar të shërbejnë edhe për Serbinë, pavarësisht se kjo u ndalohet me ligj.

Ministri i Pushtetit Lokal, i cili vjen nga radhët e komunitetit serb, nuk ka bërë ende një koment mbi këtë nismë të Beogradit.

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç, më 31 dhjetor miratoi vendimin që kryetari i komunës së Shtërpcës, i zgjedhur në zgjedhjet e Kosovës, të mbajë edhe postin e kryetarit të komunës paralele. Vendim i njëjtë është marrë më herët edhe për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
/ Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close