Ahmeti: Këtë pranverë Amerika të na ndihmojë me Greqinë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, si që njoftojnë nga partia e tij, ka nisur takimet me komunitetin ndërkombëtar për këtë vit të ri me vizitën e sotme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup ku u takua me Ambasadorin Poll Volers.

Ata diskutuan rreth zhvillimeve politike në vend dhe në rajon, çështjen e emrit dhe integrimin EuroAtlantik, opozitën si dhe bashkëpunimin vijues të BDIsë me autoritetet amerikane në vigjilje të largimit të Ambasadorit aktual dhe ardhjes së Ambasadorit të ri Xhes Bejli.

Bashkëbiseduesit u dakorduan që sfida kryesore e vendit tonë është zgjidhja çështjes së emrit dhe integrimi i Maqedonisë në NATO.

“Kjo çështje zë vend të rëndësishëm në politikën amerikane për arsye se SHBA është mbështetëse e madhe e integrimit të Maqedonisë në strukturat EuroAtlantike.Pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohëshme në Greqi dhe formimit të qeverisë së re në Athinë, të gjitha palët, Maqedonia, Greqia dhe komuniteti ndërkombëtar, duhet që të fokusojnë të gjitha forcat drejt tejkalimit të kontestit që po mban Maqedoninë larg nga Brukseli. Për këtë, nevojitet atmosferë konstruktive dhe stabile edhe në Shkup, por edhe në Athinë ”thuhet në kumtesën e BDI-së.

Kryetari Ahmeti siguroi Ambasadorin Volers që BDI do të vijoj bashkëpunimin me Washingtonin zyrtar drejt realizimit të synimit tonë të përbashkët, por edhe njëkohësisht ftoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të intensifikojnë përpjekjet këtë pranverë sepse janë mik i vërtet i vendit dhe rajonit dhe se pa ndërhyrjen  e Washingtonit, vështirë zgjidhet kjo çështje.

Kryetari Ahmeti ftoi përsëri opozitën që të rikthehet në kuvend dhe të kontribuoj në këto kohëra sfiduese për të ardhmen e vendit.

Kryetari Ahmeti gjithashtu foli edhe për reformën në arsim duke e cilësuar si progresive dhe më se të nevojshme në mënyrë që të rritet cilësia në arsim, në veçanti në përgatitjen e mësuesve të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button