Rama: Të paguash energjinë sot, investim për të nesërmen

Kryeministri Edi Rama bën fushatë në Facebook, për të sensibilizuar qytetarët se çfarë mund të ndërtohet nëse paguhet energjia elektrike. Rama thotë ndër të tjera se të paguash energjinë sot do të thotë të investosh për të nesërmen.

“Të paguash energjinë sot do të thotë të investosh për nesër! Për veten dhe për vendin. Kush nuk ka lidhur ende marrëveshje, të mos e humbasë ofertën lehtësuese deri në 28 shkurt”, shkruan Kryministri Rama.

E pamë të gjithë, thekson Kryeministri, “se si moti i rënduar i fundvitit nxorri në dukje edhe njëherë, kudo nëpër Shqipëri, gjendjen e mjerë ku është katandisur në njëzet vjet sistemi i shpërndarjes së energjisë. Si mund të ishte ndryshe pas njëzet vjetësh vjedhje pafund dhe investime me pikatore!…”

“Duke u kthyer në rrugën e ligjit, duke ulur vjedhjet, rritur arkëtimet dhe nisur investimet reale në rrjet, kemi filluar një ndryshim vërtet historik. E sa më shpejt t’i japim fund vjedhjes dhe mospagimit korrekt të energjisë, aq më parë do të kemi jo vetëm një rrjet shpërndarjeje të rimëkëmbur, po edhe mundësi të reja për investime në sektorët e tjerë”, vijon kreu i qeverisë ë postimin e tij.

“Më shumë për arsimin, shëndetësinë e me radhë, me paratë që deri sot kanë shkuar për të mbuluar gropën e hajdutërisë çmendurake që zgjat prej dy dekadash – Jo pak, 150 milionë Euro çdo vit! Kurajo!”, përfundon postimin e tij Kryeminstri Rama./BW

Lajme të ngjashme

Back to top button