Videoskandali, mjekët e Urgjencës: Ne nuk jemi roje, faji i drejtorisë

Në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Te-reza” pakkush dëshiron të flasë për videoskandalin e publikuar në rrjetet sociale, ku një paciente e mitur ngacmohej seksualisht nga disa të rinj. Kur i pyet, të gjithë ngrenë supet dhe kërkojnë “të lihen të qetë”. Rojet private janë si gjithmonë para derës, por pavarësisht skandalit, nuk kanë intensifikuar kontrollet: çdokush hyn e del pothuajse lirisht. Më të interesuar duken vizitorët, të cilët, kur dëgjojnë për pyetjen, nisin të komentojnë “rreth këtij skandali të madh”.

Megjithatë, disa mjekë vendosin të thyejnë heshtjen; ndihen të lodhur me paragjykimet “se duhej të kishin bërë më tepër në rastin e vajzës së mitur”. Sipas mjekut të Urgjencës së Kardiologjisë, Petrit Vargu, përgjegjësia nuk është e personelit shëndetësor, por e drejtorisë spitalore, që duhet të menaxhojë sigurinë e spitalit. “Ne nuk jemi roje, por mjekë të spitalit. Detyra jonë është të japim shërbimin shëndetësor dhe jo të vëzhgojmë se çfarë ndodh nëpër spital. Kjo është detyrë e drejtorisë së spitalit, e cila duhet të dijë si të menaxhojë sigurinë dhe mbarëvajtjen e dhënies së shërbimit”, – shprehet Vargu për “Gazeta Shqiptare”.

Po ashtu, ai e vë theksin te shërbimi i rojeve private, i cili, sipas tij, nuk funksionon siç duhet. “Ka një firmë që ka fituar tenderin dhe merr miliona lekë për të garantuar sigurinë në spital, por rojet e saj nuk bëjnë asnjë gjë. Ata duhet të mbajnë nën kontroll sigurinë e spitalit dhe duhet të ndërhyjnë në raste të këtij lloji, por jo vetëm”, – thotë Vargu. Gjithashtu, ai tregohet mjaft kritik me drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, e cila, sipas mjekut të Urgjencës, duhet të japë dorëheqjen pas këtij skandali.

“Unë nuk e kuptoj se me çfarë përgjegjësie drejtoresha doli dhe tha që videoja është realizuar shumë kohë më parë, në një kohë që prokuroria e tha qartë se ajo është filmuar në shkurt të vitit 2014. Në këtë muaj drejtoresha ka qenë në krye të QSUT-së, ndaj ajo u përpoq që t’u shmangej përgjegjësive. Para këtij skandali të madh, unë mendoj se ajo duhet të dorëhiqet, sepse pesha kryesore i takon menaxhimit, që realizohet nga drejtoria. Unë s’dua të bëj akuza të pabaza, por edhe firma e rojeve private, që ka fituar tenderin, duhet të monitorohet nga drejtoria për punën që bën. Dua të shtoj gjithashtu, se qeveria është duke sakrifikuar dhe duke shtuar buxhetin për sektorin shëndetësor, por për shkak të keqmenaxhimit, paratë po shkojnë dëm dhe pacientët nuk po ndjejnë ndryshimin”, – shprehet mjeku i Urgjencës.
Drejtoria

Ndërkaq, të kontaktuar nga “GSH”, përfaqësues të drejtorisë spitalore thanë se do të japin një qëndrim zyrtar rreth videoskandalit, pas përfundimit të verifikimeve që po kryhen nga grupi i posaçëm, i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë. “Jemi në pritje të verifikimeve që po bën grupi i posaçëm i ngritur nga MSH, në përbërje të të cilit ka edhe përfaqësues të QSUT-së. Jemi të hapur dhe kemi bashkëpunuar me organet kompetente. Sapo të kemi një deklaratë zyrtare, do t’jua bëjmë me dije”, u shprehën përfaqësuesit e drejtorisë spitalore.

Lajme të ngjashme

Back to top button