Asgjë e mirë nga Perëndimi, as në 2015-tën

Kaloi edhe një vit i dështuar nga aspekti i euro-integrimeve për Republikën e Maqedonisë. Dukshëm që 2014-ta ishte vit jo i mirë. Kjo gjë është konstatuar në më tepër nivele, ndërsa vlerësimi më autoritativ është Raporti i Progresit për RM, i përgatitur nga Komisioni Evropian.Përpos kësaj, pamë në pranverë gjatë fushtaës zgjedhore premtime për fillim të negociatave, verës më pas u ngjall frika për humbje eventuale të rekomandimit të KE-së deri në publikimin e raportit në tetor i cili dorën në zemër edhe këtë vit i mbylli sytë dhe ia dha Maqedonisë rekomandimin për të mos i dhënë datë bisedimesh, për të satën herë në Samitin e Dhjetorit.

Cilat janë arsyet për të mos qenë optimist për diçka të mirë të ndodh në këtë vit?

Eksperti juridik Bekim Kadriu thotë se në raportin e KE-së është sqaruar qartë dhe me një ton goxha kritik se RM ka shkuar mbrapa në procesin e eurointegrimeve.

“Fushat ku shihet regres janë sidomos marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore të shtetit, liria e shprehjes dhe kontrolli shtetëror i mediumeve, funksionimi i gjyqësorit nga aspekti i paanshmërisë, efikasitetit, ndikimit politik, korrupsionit dhe drejtësisë selektive, Komisioni Evropian në një rast thekson se “drejtësia para se të shqiptohet, duhet të shihet”, që nënkupton se gjykatat e RM në raste të caktuara sjellin vendime të dirigjuara, pa e konstatuar të vërtetën materiale, që sipas mendimit tim, aludon në sjelljen e vendimit në rastin Monstra, më tutje, marrëdhëniet ndëretnike dhe implementimi i MO, si dhe kapaciteti i institucioneve me mosprezencën e opozitës”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se për vitin 2015, personalisht nuk pret të ndodhë diçka e rëndësishme.

“Kjo së pari vjen nga fakti se reforma të thelluara nuk mund të ndodhin në disa muaj, së dyti, deri tani nuk ka asnjë sinjal të shprehjes së vullnetit serioz politik për zhbllokimin e rrugës euro-atlantike. Nuk ka fare negociata me Greqinë, ka elemente të keqësimit të marrëdhënieve me Bullgarinë, sidomos me stemën e propozuar, që flitet që Bullgaria zyrtare ka qëndrim negativ. Në planin e brendshëm, poashtu nuk ka vullnet serioz për përmirësimin e raportit pozitë-opozitë, ose reforma në gjyqësor, ose liria e shprehjes, implementimi i MO dhe ashtu me radhë. Domethënë ngelim aktualisht në status quo. Sidomos, nëse ka edhe zgjedhje të parakohshme, për çka nuk jam i sigurt, mendoj se tërësisht viti 2015 nuk do të jetë vit i proceseve integruese për RM”, shtoi Kadriu.

Malinka Ristevska Jordanova, drejtoreshë e institutit për politikë evropiane thekson se viti që lamë pas ishte një ndër më negativët sa i përket procesit të eurontegrimeve.

“Vitin që lamë pas morëm raport mjaft kritik dhe paralajmërim se mund të humbasim rekomandimin për anëtarësim. Gjithnjë e më shumë shtete evropiane theksojnë se arsyet për ngecje të këtillë janë për shkak të mungesës së kapacitetit demokratik dhe problemit me çështjen e emrit me Greqinë. Këto edhe ishin pikat kyçe për të cilat morëm kritika nga Këshilli i BE-së”, tha për Portalb, Jordanova.

Ajo shtoi se nëse vazhdon ky lloj i qeverisjes, duke injoruar të gjitha këshillat që i drejtohen nga brenda dhe nga jashtë, nuk mund të kemi ndonjë gjë të re edhe gjatë 2015-ës.

“Nëse qeveria vazhdon duke shtrirë kontrollin nëpër institucione dhe në shoqëri dhe duke injoruar këshillat e të huajve dhe të brendshme, nuk mund të presim ndonjë progres, madje as status quo, por do të diskutohet se a do të na hiqet rekomandimi për anëtarësim. Do të nevojiten vite që të përmirësohet dëmi që tani po i bëhet procesit të eurointegrimeve, dhe në përgjithësi dëmi që po i bëhet pozitës ndërkombëtare të Maqedonisë”, shtoi Jordanova.

Qeveria megjithatë fajëson Greqinë. Kohë më parë zëvendëskryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi theksoi se zgjidhja e emrit do t’i zhbllokojë eurointegrimet. Ai thotë se është i nevojshëm angazhim më i madh dhe rezultate konkrete në lidhje me kontestin për emrin me Greqinë, zgjidhja e së cilit do ta zhbllokojë këtë proces dhe do të mundemi që zyrtarisht të fillojmë me negociatat. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button