Pse po mbahet fshehtë propozimi i Nikoliqit për Kosovën?

Deklarimet e Presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe duke pasur edhe pushtet ekzekutiv janë përgatitje për largimin e institucioneve të Serbisë nga Kosova.

Këtë vlerësim e ka bërë deputeti serb në Parlamentin e Kosovës, Nenad Rashiq, dhe shton se Kuvendi i Serbisë duhet të miratojë një ligj që do të ofronte garancion social për serbët e Kosovës.

“Ekziston vetëm një mundësi që kjo të përkthehet në ndonjë mekanizëm për mbrojtjen e serbëve të Kosovës, nëse ndodh kjo që është thënë se do kryhet brenda pesë muajve, bile edhe përmendet se do të vij edhe fundi i institucioneve serbe në Kosovë në muajin prill. Mendoj se koha po shkon shpejtë dhe duhet të ndërmarrin diçka menjëherë. Ky është një apel për zotërinjtë Nikoliq dhe Vuçiq që të mos i harrojnë serbët e Kosovës dhe të mos i harrojnë serbët në jug”, ka thënë Rashiq për kanalin e dytë të Televizionit të Kosovës, transmeton Indeksonline.

Ai gjithashtu ka shprehur shqetësim për të panjohurat që thuhet se gjenden në dokumentin strategjik që po përgatitet nga presidenti i Serbisë dhe i cili duhet të parashikojë dhe formësojë fatin e serbëve në periudhat e ardhshme, dhe që quhet Asociacioni i komunave serbe, transmeton Indeksonline.

“Ky është një dokument zyrtar që duhet të dal në qarkullim. Askush deri më tash nuk e ka parë, ky është një sekret që po ruhet shumë mirë. Nuk e kuptoj pse po ndodhë kështu. Më e pakta që mund të presim është të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë dhe ta kuptojmë që a mund të ndikojmë në të për ta bërë sa më të përshtatshëm për serbët e Kosovës”, ka thënë më tej Rashiq. /Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button