Debat sa për ta quajtur të tillë, Gruevski refuzohet nga profesorët dhe studentët

Profesorët dhe studentët që kundërshtojnë reformat arsimore sot kanë refuzuar të jenë pjesëmarrës në një debat ku mori pjesë edhe kryeministri. Ky i fundit u përpoq sot që të duket si politikan i afërt me qytetarët duke shprehur gatishmërinë që të takohet “kudo” me profesorët dhe studentët, duke propozuar si vendtakim ndërtesën përfaqësuesve të popullit. Por, profesorët dhe studentët refuzuan.

Kjo përplasje fillloi sot në mesditë para objektit të hotelit “Aleksandar Palace”, kur profesoresha Bilajana Vankovska po jepte deklaratë për mediat.

Në atë moment erdhi kryeministri Nikola Gruevski, i cili ftoi profesorët që të hynë brenda objektit në hotelin “Aleksandar Palace” dhe aty të vazhdojnë debatit. Përgjigja e profesorëve ishte se hoteli nuk është vend ku duhet debatuar andaj refuzuan atë ofertë, duke thënë se hotelet janë vend për turizëm dhe jo për parlamentarizëm. Kryeministri Gruevski, në ato qaste u ofroi profesorëve që të shkojnë në Kuvend dhe atje të debatojnë. Plenumi i Profesorëve pranoi këtë ofertë, por ata nuk hynë në ndërtesën e Parlamentit. Ata u ndalën para dyerve të Parlamentit duke thënë se një debat i tillë është jolegal, në kundërshtim me rregulloret e Parlamentit dhe është jolegjitim për shkak të mungesës të studentëve nga njëra anë dhe injorimit të qëndrimeve të profesorëve.

“Debati i propozuar është jashtinstitucional, për arsye se e organizon Qeveria, ministria në vend Komisionit të Arsimit dhe Shkencës. I nderuar kryeministër debatohet për ide, propozime, koncepte. Nuk debatohet për diktat. Nëse me të vërtetë keni dëshirë ta dëgjoni zërin e atyre që janë të tanguar dhe kompetentë, në lidhje me këtë problem tani më shoqëror, atëherë tërhiqeni ligjin nga procedura parlamentare dhe do të vijmë dhe do të debatojmë”, deklaroi profesoresha Maja Stevanoviç.

Nga Plenumi i Profesorëve porositën se nëse këto ndryshime ligjore do të miratohen atëherë do t’i bëjnë thirrje kryetarit të shtetit që të vendos veto mbi këto ndryshime ligjore dhe nëse edhe ajo nuk do të japë rezultat atëherë ata do të vazhdojnë protestat.

Përplasen kryeministri Gruevski dhe Rektori Stojkovski

Në fjalimin hyrës, kryeministri Gruevski, deklaroi se i vjen keq për faktin se Plenumi i Profesorëve edhe pse pranoi të marrë pjesë në debat nuk erdhën për të debatuar, ndërsa tha se të gjitha ndryshimet që po bëhen kanë për qëllim “përmirësimin cilësisë së arsimit të lartë në Maqedoni”.

“Ne e dinim se këto ndryshime do të sjellin turbolenca dhe do të ketë pakënaqësi. Dëshiroj t’ua bëj me dije studentëve se në fakultet shkohet për të mësuar, së paku për ta merituar notën 6. Gjithashtu, synojnë rritjen e përgatitjes profesionale të profesorëve. Ne patjetër duhet të bëjmë diçka për të ndryshuar mënyrën se si merren diplomat”, deklaroi Gruevski.

Pas fjalimit të Gruevskit, fjalën e mori Rektori i Universitetit “Shën Qirili dhe Metodij”, Velimir Stojkovski, njëherësh edhe kryetari i Konferencës Interuniversitare, i cili nga kryeministri kërkoi që “propozim ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë të tërhiqen nga procedura parlamentare dhe të lihet një hapësirë kohore për të diskutuar thellësisht për ndryshimet në Arsimin Lartë”

“Ministrit i kemi dorëzuar vërejtje në 130 faqe. Mendojmë se ka ardhur koha pas 15 intervenimeve në Ligjin për Arsim të Lartë, të intervenohet me sjelljen e një ligji të ri. Duhet të jepet një periudhë më e gjatë kohore për të debatuar mbi nevojat për ndryshim në cilësinë e arsimit sipëror. Askush nuk është kundër ndryshimeve, por nevojitet kohë dhe debat”, deklaroi Rektori i  Universitetit “Shën Qirili dhe Metodij”, Velimir Stojkovski.

I ashpër ishte reagimi i kryeministrit Gruevski, i cili tha se propozim ndryshimet, ka pasur kohë për debat ngase debati ka filluar nga muaji tetor, ndërsa shtoi se ka pritur sot nga rektori se do të vijë me propozime konkrete e jo për t’i kërkuar atij kohë për t’i tërhequr propozim-ndryshimet

“Në vend që të jeni argumente ju kërkonin anulimin e diskutimit, ja këtu jemi tregoni argumentet e juaja”, porositi kryeministri Gruevski.

Më pas debati vazhdoi me rektorin e UEJL, Zamir Dika, i cili në fjalimin e tij shtroi shumë çështje dhe dha propozime të ndryshme mes të cilave tha se sistemi i studimeve duhet të jetë fleksibil, pra të ketë studime tre vjeçare por edhe katër vjeçare

“Nuk besoj se kthimi i sistemit të studimeve katër vjeçare automatikisht do ta ndryshoj gjendjen në arsimin e lartë. Procesi i akreditimit të vendos se cila është më kualitative”, tha Dika.  /SHENJA

Lajme të ngjashme

Back to top button