Ryshfeti në “modë”

Fenomeni i dhënies së ryshfetit nga disa biznese – zyrtarëve publikë por edhe kërkim ryshfeti nga investitorët eventual ndërkombëtar kanë ndikuar në përkeqësimin e performancës së bizneseve, të cilat veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në bazë të konkurrencës së lirë të tregut, por edhe hezitimin e investitorëve të huaj që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë, vlerësojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore është thënë se një përqindje e konsiderueshme e bizneseve u paguajnë ryshfet zyrtarëve publikë në mënyrë të përsëritur, gjatë gjithë vitit.

Qëllimet kryesor të pagesës se ryshfeteve janë bërë të përshpejtuar një procedurë ose për të bërë të mundur finalizimin e një procesi dhe që afër 60 për qind e ryshfetit është bërë duke paguar me para të gatshme.

Ndërkaq, në disa raporte që kanë publikuar organizatat vendore thuhet se një nga pesë kosovarë kanë paguar ryshfet, kurse 40 për qind janë të gatshëm të paguajnë ryshfet, fenomen ky që është bërë akt i pashmangshëm për të kryerpunë.

Në këtë kuadër, sipas raporteve, si problem kryesor te bizneset është paraqitur sistemi gjyqësor, pasi bizneset shpesh gjenden në situatë ku është më efikase për ta paguar ryshfetin se sa të dërgojnë rastin në gjykatë, pasi merr shume vite për zgjidhje.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit pohojnë se mito apo ryshfeti nga bizneset jepet tek zyrtarët institucional në këmbim të ndonjë tenderi për projekte të caktuar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se vetë fakti se në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare, thuhet se korrupsioni, nepotizmi dhe burokracia pengojnë zhvillimin e veprimtarisë së bizneseve, nuk mund të anashkalohet as fenomeni i ryshfetit.

“Dhe kur kemi këto dukuri të pranishëm është e pamundur të mendohet se nuk ka edhe ryshfet. Por problemi më i madh që është,dhe duhet kuptohet,edhe për ryshfet dhe korrupsion duhet dy palët. Dhe si duket ajo që e dëmton më se shumti këtë të dhënë ekzakte për këtë dukuri është fakti se ka mangësi të gatishmërisë që denoncohet”, thotë Gërxhaliu.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, ndërkaq kompanitë që japin ryshfet, janë më të favorizuara dhe më tepër kanë mundësi që të zgjerojnë aktivitetin e tyre prodhues, tregtar apo çfarëdo lloji tjetër.

Këto kompani kanë edhe përparësi në marrjen e tenderëve për realizimin e ndonjë projekti të financuar nga organet qeveritare.

Kurse Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit thekson se në këtë asociacion ekonomik ka ankesa të ndryshme nga bizneset lidhur më kërkesat për ryshfet.

Por, ai problem e konsideron faktin se pronarët e bizneseve nuk e marrin guximin për të denoncuar atë në organet e drejtësisë për shkak të frikës nga rrezikimi i veprimtarisë se tyrebiznesore.

“Kjo e bën që në Kosovë duhet të ndryshojë ligji për mbrojtjen e dëshmitarit, e që kjo do t’i ndihmojë shumë procesit për të ardhur më afër dhe shpejtë deri tek ata që keqpërdorin detyrën publike”, thekson Shahini.

Edhe zyrtarë që merren më luftimin e korrupsionit, pohojnë se ekzistojnë raste të tilla por jo në numër të madh.

Hasan Preteni, drejtor në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit thotë se hezitimi i qytetarëve për të paraqitur këto raste ekziston sepse që të dyja palët duhet të përgjigjen penalisht.

“Problemi është se te kjo vepër penale, te kërkimi i ryshfetit apo mitos, është shumë problematike, sepse qytetarët hezitojnë të denoncojnë. Por edhe denoncimi i tyre i krijon ‘probleme’ të shumta sepse edhe ai që jep edhe ai që merr duhet të përgjigjen penalisht. Kryesisht kur kërkohet mito atëherë paraqesin rastin në agjenci”, shprehet Preteni për Radion Evropa e Lirë.

Preteni megjithatë thekson se qytetarët e Kosovës duhet të vetëdijesohen që këto raste t’i paraqesin në organet kompetente.

“Inkurajoj çdo qytetarë që të kenë kurajë dhe të lajmërojnë rastet ku për shërbimet e caktuara zyrtarët kërkojnë pagesa tjera shtesë. Mendoj se duhet të largohet praktika e kaluar duhet të vetëdijesohen që të lajmërojnë rastet e tilla dhe mos të bien preh të kërkesave të cilat në fakt janë jo ligjore dhe duhet kuptuar se edhe dhënia dhe marrja e mitos janë vepra penale”, thekson Preteni.

Përfaqësues të shoqërisë civile tashmë sa herë kanë përsëriturqëndrimin e tyre se mos funksionimi i sistemit të drejtësisë po “inkurajon” bizneset që t’u japin ryshfet zyrtarëve publikë.

Kjo, sepse sipas tyre, procedurat e tepërta burokratike dhe korrupsioni kanë ndikuar që shumica e kompanive, në vend se t’i adresohen gjyqësorit, si metodë për të arritur deri te përfundimi i punëve, ka zgjedhur dhënien e ryshfetit zyrtarëve të institucioneve të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button