Meta-Arvizu: SHBA, mbështetje të pakursyer Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta shprehu mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë për miqësinë e popullit amerikan ndaj popullit shqiptar dhe për mbështetjen e pakursyer të SHBA-së ndaj progresit të proceseve euro-atlantike të Shqipërisë.

Gjatë takimit të lamtumirës me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Alexandër Arvizu, Meta vlerësoi kontributin e ambasadorit gjatë mandatit të tij 4-vjeçar në Shqipëri, dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin personal dhe për kontributin e tij në shërbim të forcimit të aleancës strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Ambasadori i SHBA-së shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin me autoritetet shqiptare gjatë këtyre viteve dhe vlerësoi miqësinë dhe bashkëpunimin që SHBA ka gjetur tek një aleat si Shqipëria. Në këtë drejtim, Arvizu vuri në dukje se pesha e Shqipërisë në rajon dhe në botë ka ardhur duke u rritur dhe theksoi se e ardhmja e vendit mbështetet fort në avancimin e procesit të integrimit evropian dhe në forcimin e rolit të tij aktiv në NATO.

Kryetari i Kuvendit i uroi suksese ambasadorit në vazhdimësinë e karrierës së tij diplomatike dhe nënvizoi se shqiptarët e vlerësojnë përkrahjen dhe mbështetjen e rëndësishme të miqve tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button