SHENJA NJOHËSE E KOSOVËS

Me Kosovën më lidh fëmijëria, më lidh rinia, të parët e mi, dheu, gjuha. Ajo gjithmonë endet nëpër mendimet e mia. Aty i kam kujtimet më të mira. Prandaj gjithmonë dua t’i kthehem. Dhe sa here që t’i kthehem dua ta shoh më të përparuar ekonomikisht, më të mirë, më të bukur dhe më krenare. Më krenare. Po, më krenare!  Sepse të tillë e mbaj në mend, sepse aty i kam “mbledhur” kujtimet më të mira, sepse e tillë ka qenë në kohët më të errëta, në ato kohë kur këtë dhè të mirë e shkelnin hordhitë e Rankoviçit, sepse e tillë ka qenë në vitet tetëdhjetë e nëntëdhjetë kur pikërisht Kosova ia vurin llozin për ta përmbysur kreaturën e quajtur Jugosllavi. Kosova ka peshë të veçantë për mua. Ka domethënie të shumëfishtë.

Dhe, i kthehem vazhdimisht Kosovës. “T’i mbush bateritë” me krenari, siç thonë tash.

Në vizitat e fundit e gjej Kosovën krejtësisht ndryshe nga ajo që pres ta shoh. Pa ato cikërima që e bënin mozaikun magjepsës që quhej Kosovë. Ndër to nuk e gjej atë gjallërinë legjendare të njerëzve të këtij dheu të përgjakur nga arma e huaj. Politika e udhëhequr, në të shumtën e herave, nga amatorë dhe njerëz me përgatitje mesatare e ka ngulfatur këtë gjallëri. E ka mbytur edhe shpresën, si asin e fundit në këtë lojë të Kosovës që quhet “me kjenë a mos me kjenë”. Si pasojë e ka ngritur kryet varfëria. Njerëzit i sheh të lodhur, të heshtur, thuajse edhe të gjunjëzuar. I sheh si zvariten burrat me valixhe, me gra të përlotura dhe me fëmijë të trishtuar si shkojnë drejt stacioneve të autobusëve prej nga të pikëlluar janë të detyruar ta braktisin Kosovën dhe të kridhen në thellësitë e të panjohurës që i pret në dhe të huaj, duke e lënë zbrazjen që e ka hapur gojën e saj të përbindshit nëpër lagjet e qyteteve dhe nëpër fshatra.

Temperamenti ka mbetur, por nuk është ajo magjia që e mbante Kosovën të bashkuar. Nga e gjithë ajo magji ka mbetur vetëm energjia e Vetëvendosjes dhe energjia e rektorit të Universitetit publik të Kosovës të cilët mundohen ta ruajnë frymën e dikurshme të vendosmërisë dhe të drejtësisë. Dhe, krenarinë. Ta ruajnë krenarinë. Gjithçka tjetër është një atmosferë e kapitalizmit të kohës para viteve të Komunës së Parisit, që është futur hajnisht në këtë vend të shpresës së madhe të lirisë. Është një atmosferë e ngulfatur nga dhuna politike që ndodh para syve e indiferencës së strukturave të BE-së, gjë që të bën ta pyesësh veten: ç’rol kanë vallë këto struktura të BE-së këtu? Po, këto struktura, si duket dy sy i kanë bërë katër vetëm kur duhet ta ruajnë superioritetin politik, ekonomik, shoqëror e politik të pakicës serbe prej nja tre për qind. Këtë punë e bën, si duket, Euleksi e shërbimet tjera të BE-së. E për shumicën e popullsisë nuk lodhet kush.

Fusha e gjerë e Kosovës është thuajse e braktisur, nëpër dyqane dominojnë mallërat serbe, fabrikat nuk punojnë, spitalet duken të përhirta nga jashtë, arsimi është i lodhur, pensionistët pa barna e pa bukë, të rinjtë pa perspektivë. Me gjithë ndryshimet e dhunshme arkitekturale Kosova ta jep përshtypjen e një vendi të munduar. Ende nuk janë hequr plagët e zgjedhës serbe. Këtij vendi të cilin dua ta shoh të larë në dritë ka nisur ta mbulojë, në një anë, hija e Serbisë, e cila bën çfarë t’i dojë pika e qejfit këtu dhe, nga ana tjetër, hija e ndikimeve lindore.

Me një fjalë dikush synon të na ndërpresë dhunshëm ëndrrën për bukurinë, e cila duhet të jetë shenja njohëse e Kosovës.

E pyes veten, si mund të rrinë kështu kryelëvarur këta njerëz që janë pasardhës të atyre burrave e grave që i lëvizën themelet e një Jugosllavie me një ushtri e me një polici të armatosur deri në dhëmbë? E di si mblidheshin të gjitha viset e Kosovës dhe tuboheshin në Prishtinë për ta kërkuar lirinë dhe të gjithë atë që ua mohonte pushteti i atëhershëm i Serbisë. Nuk i ndalte dot as shiu, as bora e as tankset e panumërta të Serbisë. Çudi, pse sot nuk bëzajnë njerëzit për varfërinë e paarsyeshme e të paarsyetueshme, për hallin e zi të realizimit të synimeve shekullore për një jetë me dinjitet që e mbajnë si peshë. Pse vallë këta njerëz si zgjidhje nga situata e vështirë e kanë zgjedhur braktisjen e vendit, zbrazjen e fshatrave, ikjen? A nuk shkon ky ujë në mullirin e politikës serbe e cila ëndërr shekullore e ka pasur pastrimin e tërësishëm etnik të Kosovës nga populli shqiptar?! Këtë pyetje e bëjnë edhe shumë e shumë të tjerë, po ndërkohë politikanët shqiptarë në vend se të japin përgjigje shtyhen me bërryla mes vetes për kolltukë, por edhe për ta bërë pronë të veten atdheun e shqiptarëve, Kosovën e përvuajtur.

Nuk e gjej as atë gjeografinë e imët, as gjurmët e fëmijërisë dhe të rinisë sime. Të gjitha i ka mbuluar dhuna e mujsharëve nga nëntoka urbane e ushtruar ndaj sokakëve të dikurshëm, ndaj shtëpive të vjetra, ndaj gjithë trashëgimisë arkitekturale. Dhuna urbane kërcënohet ta fshijë edhe pamëninë e visores plot imazhe të bukura.

Këtu as fëmijët nuk kanë vend ku të luajnë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button