Berlini përgënjeshtron: Nuk kemi ndryshuar mendim për Greqinë

Pas lajmit të bujshëm të një dite më parë nga e përjavshmja “Spiegel” se kancelarja Gjermane Angela Merkel ka ndryshuar mendim lidhur me daljen e mundshme të Greqisë nga Eurozona, ka ardhur dhe përgënjeshtrimi nga zëdhënesi i qeverisë Gjermane.

Sipas Georg Streiter, i cili ka folur për agjensinë e shtypit DPA, “nuk ka patur asnjë ndryshim vendimi në lidhje me të ardhmen e Greqisë në Eurozonë”.

Sipas lajmit të publikuar nga media gjermane, burime të afërta të qeverisë citonin se ka patur një ndryshim kursi dhe se Gjermania ishte e gatshme të pranonte daljen e Greqisë nga zona e Euros, nga momenti që nuk ka rrezik dhe për nxitjen e vendeve të tjera të Eurozonës për të bërë të njëjtën gjë.

Sipas tyre kancelarja gjermane dhe ministri i financave Wolfang Schauble e konsideronin të pranueshme një “Grexit”, duke marrë në konsideratë progresin e bërë nga zona e Euros nga faza më akute që prej krizës së vitit 2012 dhe rreziqet e limituara për vende si Portugalia dhe Irlanda, të cilave u është dashur ndihma e FMN-së dhe Bashkimit Europian.

Ndonëse nuk ka patur asnjë reagim nga kancelarja Merkel apo nga ministri i finanzave, një zëdhënës ka bërë thirrje se çfarëdo zhvillimi të ndodhë me zgjedhjet në Greqi, Athina nuk duhet të braktisë politikën e reformave. Edhe nëse Greqia ndryshon drejtim, duke nënkuptuar qeverisjen e mundshme të vendit nga Syriza, sërish kanë theksuar se zgjedhjet nuk mund të ndryshojnë dhe duhet të respektojnë marrëveshjet e bëra me qeverinë e mëparshme Greke./ Shqiptarja

Lajme të ngjashme

Back to top button