UPS-et e njohurive të z.Ali Ahmetit

Përfundimi i një viti kalendarik jo rrallë përdoret për të bërë një përmbledhje të gabimeve të personave publik që zakonisht shoqërohen me fjalën ‘ups’. Ndoshta jo pak atraktiv në këtë kuptim është Kryetari i BDI-së, i njohur tashmë për deklarata të pasakta (Goce Delçevi mbante plis të bardhë), shpesh joserioze (shqiptarët në Maqedoni kanë luftuar me ustashët), konstatime të gabuara (shtetformësia) si dhe premtime të stërpërsëritura dhe vazhdimisht të papërmbushura (integrimi në NATO dhe BE, zyrtarizimi i gjuhës shqipe). Këtu do të ndalem vetëm në dy momente të intervistës së fundit të Z. Ali Ahmeti në emisionin ‘Opinion’ në TV Klan: në njohuritë e Z. Ahmeti për infrastrukturën dhe në njohuritë e tij juridike lidhur me çështjen e përdorimit të flamujve, të cilat ai i shtron në këtë emision si arritje të partisë së tij.

Ja çka thotë Ali Ahmeti për infrastrukturën, në emisionin ‘Opinion’ në minutën 4:20 deri 4:55 (po e citoj fjalë për fjalë bisedën):

Blendi Fevziu: – “Dhe në fund të dy tre viteve, duke llogaritur edhe vonesat, për sa kohë një shqiptari të Maqedonisë do ti duhet të udhëtojë nga Shkupi drejt Tiranës?”

Ali Ahmeti: – “Rruga do shkurtohet goxha shumë … nëse kemi ardh prej Shkupit për tri orë, tri orë e gjysmë, do vish për dy orë, do të thotë nga Shkupi në Tiranë … sepse edhe këtu goxha është shkurtu rruga me tunelin e Qafë Krrabës dhe vjen për 10 minuta Elbasan –Tiranë!!!”

Megjithëse Z. Ahmeti thotë se rruga Elbasan-Tiranë bëhet për 10 minuta, ndërsa Shkup-Tiranë do të bëhet për dy orë, kushdo që e ka kaluar këtë distancë e di se kjo është absurde. Aktualisht rruga Elbasan-Tiranë bëhet për të paktën 40 minuta dhe kjo nuk ka gjasë të zbres në më pak se rreth 30 minuta edhe pas kompletimit të autostradës Tiranë-Elbasan. Edhe më absurd është deklarimi se nga Shkupi në Tiranë do të mund të shkohet për dy orë. Nëse do të kishte logjikë në pretendimet e Z. Ahmetit se pas bërjes së autostradës së re në Maqedoni kjo rrugë do të kalohet për dy orë – nëse kemi parasysh se në rastin më të mirë distanca që nuk do pësojë ndonjë ndryshim të madh Strugë-Tiranë kalohet minimum për 1 orë e gjysmë – atherë rezulton se nga Shkupi në Strugë, sipas fantazisë së Z. Ahmetit do të arrihet për 30 minuta.

Do të doja që kjo një ditë të bëhej realitet dhe unë të mund të shkoja në punë në Shkup nga vendlindja ime e të kthehesha sërish në mbrëmje për vetëm 30 minuta por, nëse e përdor logjikën kjo është gjë shumë e mirë, për të qenë e vërtetë (siç thonë anglezët: ‘to good to be true’)!

*** Ndiqni njohuritë e Ali Ahmetit për çështjet juridike që kanë të bëjnë me përdorimin e flamujve, në emisionin ‘Opinion’ në minutën 8:50 deri 9:08 (po e citoj fjalë për fjalë):

Ali Ahmeti: – “A do ma gjenit ju mu një shtet tjetër në rruzullin tokësor që përdor flamurin zyrtarisht të një shteti tjetër? Flamuri shqiptar në Maqedoni është flamur në përdorim zyrtar.”

Shihet qartë se Z. Ahmeti ka njohuri të kufizuara lidhur me rregullimin e flamujve, i përvetëson naivisht tezat e politikanëve maqedonë dhe ofron të dhëna gjysmake për publikun në Shqipëri, duke dhënë edhe informacion të gabuar lidhur me këtë çështje.

  1. Flamuri shqiptar nuk është flamuri i vetëm i një shteti tjetër që përdoret zyrtarisht në një shtet tjetër, siç ngatërrohet që në fillim Z. Ahmeti. Edhe flamuri i Turqisë, Bosnjës, Serbisë, etj., përdoren në Republikën e Maqedonisë njësoj si flamuri shqiptar. Në fakt nuk ekziston ligj i veçantë për përdorimin e flamurit shqiptar në Maqedoni por ka ligj për përdorimin e flamujve të bashkësive (pakicave kombëtare) në Republikën e Maqedonisë, në të cilin nuk përmendet askund flamuri shqiptar, por përmenden flamujt e bashkësive si tërësi dhe ato trajtohen njëlloj.
  2. Vula e Komunës së Liqenasit (Pustecit) ku jeton minoriteti maqedon në Shqipëri është flamuri me yllin e Virgjinës që ishte flamur i Republikës së Maqedonisë pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa flamurin e Maqedonisë tani e vendosin para komunës dhe nuk ua prek kush, prandaj edhe nuk ka pasur nevojë për rregullim ligjor.
  3. Çështja e flamujve është shumë komplekse dhe kërkon shumë më shumë hapësirë për ta sqaruar, por meqë Z. Ahmeti kërkon t’i gjejmë atij një shtet tjetër në rruzullin tokësor që përdor flamurin zyrtarisht të një shteti tjetër, atherë po i sjellim shembullin e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës ku zyrtarisht përdoret flamuri zyrtar i Republikës së Serbisë, i cili është flamur zyrtar edhe i Republika Sërpskës. Neni 7 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë përcakton se Flamuri i Republikës së Serbisë përdoret në dy variante: si flamur popullor dhe si flamur shtetëror http://www.sllistbeograd.rs/documents/ustav_republike_srbije_lat.pdf ndërsa pamja dhe përdorimi i tyre rregullohen në nenet 17 deri 33 të Ligjit për pamjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë. Flamuri zyrtar i Republikës së Serbisë (flamuri popullor) është flamur zyrtar edhe i Republika Sërpskës në Bosnjë, neni 8 i Kushtetutës të së cilës http://skupstinabd.ba/ustavi/rs/ustav_hrvatski.pdf përcakton se pamja e flamurit të Republika Sërpskës përcaktohet me ligj kushtetues, ndërsa në faqen zyrtare të Republika Sërpskës http://www.republikasrpska.net/srpska/grb-i-zastava/ konfirmohet se flamuri i saj ka pamje plotësisht të njëjtë me flamurin e Republikës së Serbisë (‘svojim izgledom, sasvim je jednaka zastavi Republike Srbije’).
  4. Z. Ahmeti nuk e sqaroi opinionin në Shqipëri, se ndryshe nga flamuri serb në Bosnjë, flamuri shqiptar në Maqedoni ka përdorim zyrtar vetëm në nivel lokal dhe jo në atë qendror, dhe për më keq edhe në nivel lokal lejohet në mënyrë të cunguar, pra vetëm në ato komuna ku shqiptarët janë mbi 50% (ndryshe edhe nga 20%-shi që parashihet për përdorimin lokal të gjuhëve). Për korektësi Z. Ahmeti duhej të sqaronte se që nga miratimi i ndryshimeve të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive në Republikën e Maqedonisë të votuar nga BDI-ja, flamuri shqiptar duhet të jetë për një të tretën më i vogël se flamuri maqedon, ndërsa para miratimit të ligjit në fjalë flamuri shqiptar përdorej në dimenzione të njëjta me flamurin maqedon.

Ka edhe shumë gjëra të tjera por po e lë këtu me kaq, pa u marrë me deklarimet që kanë të bëjnë me injorancën e Z. Ahmetit për çështjen e shtetformësisë, diskriminimin e hapur në investimet kapitale që vetëm Z. Ahmeti nuk e sheh, tezat qesharake për krizën në Ukrahinë si shkak i mossuksesit të integrimit në NATO dhe BE , degradimin e cilësisë në USHT dhe kthimin e saj në një degë partie dhe pretendimet se formimi i një subjekti të tretë është përçarës për shqiptarët (ndërkohë që vet BDI-ja u formua si subjekt i tretë në kohën që ekzistonin PPD-ja dhe PDSH-ja).

Mbase njeriu duhet të jetë shumë i matur në shfaqjet e tij publike dhe para se të deklarojë një gjë bën mirë ta konfirmojë atë paraprakisht … veti kjo për të cilën nuk njihet kryetari i BDI-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button