fbpx

Bllokimi i aksit Pogradec-Qafë Thanë, arrestohen përfaqësuesit e mirëmbajtes

Mbrëmjen e së shtunës, katër shtetas shqiptarë janë arrestuar nga Drejtoria e Krimit Ekonomik në Korçë, si fajtorët kryesorë për mospastrimin e rrugës Pogradec-Dogana e Qafë Thanës, e cila u bllokua nga reshjet e dëborës në datat 29 e 30 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas njoftimit zyrtar, një prej të ndaluarve është administratori i kompanisë “RD-2”, Alban Abazi. Kjo kompani ka qenë e kontraktura për mbajtjen hapur, në rast bllokimi nga dëbora, të aksit Pogradec-Qafë Thanë. Por, sipas hetimeve të policisë, shoqëria nuk ka kryer kriposjen e rrugës, si dhe nuk ka vendosur sinjalistikën rrugore, që paralajmëron për rrëshqitje të automjeteve, si dhe shenjat detyruese për vendosjen e zinxhirëve. Madje, kompania nuk disponon as dokumentacion që vërteton diçka të tillë.

Nga ana tjetër, administratori i shoqërisë “RD-2 shpk” akuzohet se i është shmangur detyrimeve, që kompania e tij kishte për të mbikqyrur aksin rrugor. Krimi Ekonomik dyshon se këto veprime janë kryer me qëllim përvetësimin e pagesave në lekë nga Autoriteti i Rrugëve, pa kryer më parë punimet sipas kontratës përkatëse.

Nga hetimet rezulton se shoqëria “RD-2” ka punësuar edhe persona të tjerë, të paregjistruar në organet përkatëse shtetërore, për zbatimin e kontratës së sipërcituar. I ndaluri i dytë është inxhinieri Artan Hoxha, të cilin policia e akuzon për shpërdorim detyre, pasi – sipas saj – ai nuk ka kryer asnjë inspektim formal për kompaninë “RD-2” dhe nuk ka njoftuar Autoritetin e Rrugëve për pamundësinë e kësaj kompanie për pastrimin e rrugës së Qafë Thanës.

Mes të ndaluarve është edhe specialisti i Drejtorisë së Rrugëve, Xhevdet Mulaj. Edhe ai akuzohet për shpërdorim detyre, pasi sipas policisë edhe ky shtetas nuk ka kryer detyrën e inspektimit të kompanisë dhe situatën në rrugë. I ndaluari i katërt është Arlint Berberi, që punonte si jurist i kompanisë “RD-2”. Ai akuzohet për falsifikim të faturave tatimore.

Përveç kësaj, sektori i Krimit Ekonomik në Korçë ka zgjeruar hetimet ndaj kompanisë, jo vetëm sepse nuk ka kryer punimet për mirëmbajtjen e rrugës Pogradec-Qafë Thanë, ashtu siç ishte parashikuar në kontratë, por edhe për mënyrën se si është zhvilluar tenderi që ka fituar shoqëria “RD-2”. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close