Shteti do të punësojë edhe 50 fëmijë me statusin fëmijë pa prindër

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nesër do të publikojë shpallje për punësimin edhe të 50 personave në administratën shtetërore, të cilët deri në moshën 18 vjeçare e kanë pasur statusin e fëmijëve pa prindër dhe pa përkujdesje prindërore.

Shpallja është pjesë e programit D-10, nëpërmjet të cilit në fillim të vitit ishin punësuar 33 persona me status të tillë. Ministri i dikasterit, Dime Spasov, sot njoftoi se punësimi i kësaj kategorie të qytetarëve do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme me qëllim që të zvogëlohet papunësia në këtë kategori të njerëzve.

Personat të cilët i plotësojnë kushtet e konkursit do të munden të aplikojnë në 20 ditët e ardhshme për ta marrë angazhimin adekuat të punës, varësisht nga kualifikimet. Sipas ligjit për nëpunës shtetërorë, planifikohet punësimi i 50 personave në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, me titull bashkëpunëtor i ri, referent i lartë, referent dhe referent i ri. Ato do të kenë statusin e nëpunësve shtetërorë, ndërsa varësisht nga nevojat e institucioneve do të mund të sistemohen në ministri tjera.

“Sipas programit D-10 këtë vit do të punësohen gjithsej 83 persona, me çka dukshëm do të ndihmohet kjo kategori e të rinjve dhe atyre do t’u sigurohen kushte për jetesë normale, punë të përhershme, me qëllim të integrimit të tyre në jetën shoqërore”, tha Spasov në konferencën për shtyp.

Sipas tij, shifra e përgjithshme e personave të papunësuar me statusin e fëmijëve pa prindër deri në moshën 18 vjeçare ndërrohet nga viti në vit. “Sipas planit që e kemi bërë, në 4-5 vitet e ardhshme presim pothuajse ulje të plotë të numrit të të papunësuarve. Këtë vit do të punësohen gjithsej 83 persona, ndërsa në vitet e ardhshme plani është të punësohen prej 20 deri në 40 persona, përkatësisht në vitet e ardhshme pritet që të ketë një numër prej 120 deri në 170 persona me status të tillë”, sqaroi Spasov.

Shpallja publike, përvepç në shtypin ditor, do të publikohet edhe në ueb-faqen e Ministrisë për punë dhe politikës sociale, www.mtsp.gov.mk dhe në ueb-faqen e Agjencisë për administratë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button