Ministrja serbe: Serbia ta pranojë faktin se Kosovën e kanë pranuar shumë shtete

Ministrja serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq ka deklaruar “Marrëveshja e Brukselit reflekton realitetin që BE-ja e ka pranuar faktin e Serbia nuk e ka njohur Kosovën e pavarur, sikundër që ne duhet të pranojmë faktin se atë e kanë pranuar shumë shtete”.

“Mendoj që me marrëveshjen e Brukselit kemi hapur mundësinë që përmes Bashkësisë së komunave serbe në mënyrë të rëndësishme të avancojmë kornizën për qëndrim dhe përparim të serbëve ne veri të Kosovës”, tha Joksimoviq për televizionin publik RTS, transmeton lajmi.net.

Joksimoviq theksoi se implementimi i marrëveshjes është obliguese edhe për Prishtinën.

“Do të doja që qytetarët të kuptojnë – marrëveshja e Brukselit ekziston. Ajo është e tillë çfarë është dhe në krijimin saj kemi marrë pjesë edhe ne. Ne do të bëjmë çmos që është në interesin e njerëzve tanë në veri. Ta sqarojmë – marrëveshja e Brukselit ekziston sepse Serbia nuk e ka njohur Kosovën”.

Ajo deklaroi se nuk dëshiron të flasë për “dokumentin” e ri për Kosovën (të presidentit serb Nikoliq).

“Ai nuk na është paraqitur, as përfunduar, andaj nuk do të doja ta analizojë paraprakisht. Gjithsesi që edhe presidenti ka të drejtë në ndonjë lloj iniciative dhe propozimi. Unë nuk do të mund të komentoj diçka që ende nuk është në fazën finale dhe nuk i njoh orientimet kyçe të atij dokumenti.

Nikoliq ka deklaruar më herë se për propozimin final ka biseduar me kryeministrin Vuçiq dhe se ai dokument ka pasur pajtimin e kryeministrit dhe të presidentit.

Kryeministri Vuçiq, ndërkaq, të shtunën ka deklaruar se nuk është koha për zgjidhjen finale të çështjes së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button