Teatri Poshka i Strugës, vatër e re e kulturës, spektakël i dhimbjes dhe i fisnikërimit shpirtëror

Nga Prof. dr. Nebi Islami

-aspekte ideoestetike dhe përmbajtësore të shfaqjes “Jetimat” me tekstin dhe  regjinë e Olsa (Maze) Poshka në interpretim të trupës së Teatrit  Poshka-

Një  hetim për një krim të supozuar të një riu i zhvilluar me provokime e  tensionime të larta  dhe një mbrojtje briliante  që ndriçon  konstruktin  moral dhe karakterin e  personalitetit të të akuzuarit i cili në vete sublimon të gjitha tiparet e fisnikërisë e të solidaritetit me  hallet e njeriut në nevojë, me gatishmërinë për  të mbrojtur më të dobëtin, për t’u fljijuar  për drejtësi që me shpirtmadhësi pas shpëtimit të adoleshentes  së torturuar dhe të nëpërkëmbur në një azil jetimësh me të cilën  më vonë  bashkon jetën është syzhey i pjesë së parë, të dramës si uveryrë në pjesën  më të bukur, atraktive,  e melankolike e cila në dukje ndrydhë   dhimbjen e shpirtërave të lënduar të fëmijëve me tisin e gëzimit e të haresë së momentit përmes lojës spektakulare që shprehë natyrën e  tyre.

Të dy këto pjesë që janë njësi të një tërësie  formojnë fabulën e dramës e cila u shfaqë si premierë spektakolare  në vigjilien e vitit të ri në dhjetorin e vitit 2014  në Teatrin Poshka të Strugës .

Struktura përmbajtësore e dramës  përfshinë dromca jetësore të hidhura të jetës në azil  të shtresës  jo vetëm të margjinalizuar e të harruar  nga kujdesi institucional por edhe të nënshtruar presioneve  nga  drejtuesëit e inkriminuar që vërsulen mbi qeniet e brishra e të virgjëra duke i traumatizuar e tjetërsuar nga jeta.

Në këtë pikë të tensionit dramatik në zyrën e hetuesisë, regjia  sfidon  kryepersonazhin i cili më tutje   ndërton,  përshkallëzon dhe   ngre  konfliktin deri në kulminacion duke e  zbërthyer me zgjidhje  të pritshme të ngadhnjimit të të drejtit që vuan dhe ngrihet mbi vuajtjet e jetës së përditshme dhe mbi mynxyrën  tragjike   të  situatës në  të cilën e kanë sjellë  subjekte të  institucionit të inkriminuar që  shkelin mbi normat e së drejtës, moralit e  humanizmit.

Hetuesia   dhe hetuesi janë  mveshur mjeshtrisht me  petkun që vezullon  ndërmjet reales, fantazmagorisë  dhe ritualit që sfidohen e mposhten nga arsyeja racionale dhe shpalosja e argumenteve të mbrojtjes nga kryepersonazhi me të cilat  pa mëdyshje zbehet e zhbëhet akuza e paqëndrueshme duke nxjerrë në syprinë anën e errët të institucinit i cili në vend të përkujdesjes për jetimët ka rrëshqitur në krim.

I akuzuari dëshmon me argument  se nuk është i ddhunshëm por se ka ndjerë obligim njerëzor human e moral të kacafytet  me pedagogun i cili duke ushtruar forcën e funksionit që ka në azil është  përpjekur  ta përdhunojë e ta shkatërrojë një shpirt të virgjër të një adoleshenteje.

Rolin e të akuzuarit e luan Xheladin Poshka, ndërsa të Hetuesit Redi Topçiu  me ndihmësit (Vlora Shahinasi, Artan Dalipi, Vjollca Fetahu, Fjolla Veseli). Seanca zhvillohet në  atmosferë ankthi e tmerri që megjithatë  demaskon  djallëzinë  dhe  hipokrizinë vënies së kurtheve. Përbrenda kësaj sfide Xheladin Poshka në rolin brilliant të të akuzuarit  e ndërton karakterin me lojën spontane e cila merrë përmasa  dramatike me ligjërimin gjesti, batutën, tensionimin emocional dhe raportet  me  partnerët duke lënë mbresa të thella në skenë. Duke mbarështuar dhe evokuuar situatat, përmes ekzaltimeveve  ai ka dëshmuar shpirtin rebelues  që ngrihet me guxim kundër të ligës dhe arrinë të  stigmatizojë e demistifikojë dukurinë inkriminuese që rrezikon një pjesë të substancës më të brishte e më të pambrojtur të shoqërisë. Në këtë pjesë drama  alarmon krimin trishtues, stigmatizon fantazmat e errësirës së një realiteti të ngrysur dhe tingëllon si klithmë  e zë i arsyes kundër të keqes që u bëhet fëmijëve.

Pjesa  përfundimtare e shfaqjes pastaj  shndërrohet në  spektakël të mirëfilltë me  ngjyrime të brishtësisë, bukurisë me nota të  dhimbjes e melankolisë së fateve të jetimëve në shtëpinë e përbashkët  të azilit  në të cilin kanë gjetur strehimin pas humbjes së prindërve apo të braktisur nga fati i hidhur.

Regjisorja me mjeshtri dhe shkëlqim  të lojës artistike  ka animuar skenën përmes shpalosjes së biografive dhe historive të protagonisteve të jetës në azil.

Këta animatoprë individualisht  përmes lojës, recitaleve, vallëzimit dhe  performimit të pikave të kuptimësuara përmbajtësore si njësi të tërësisë  sjellin në skenë harenë e çastit duke u ngritur mbi hallet e duke krijuar atmosferë të ngrohtë gazmore, emocionuese, atraktive dhe paralelisht botën e tyre të virgjër e të padjallëzuar, duke harruar të ardhmen e paqartë dhe hallet që i presin. Mbresat  e shfaqjes që lanë  në publik vinin  të përshkallëzuara duke gërshetuar   solidarizimin, sentimentin, melankolinë, dhimbjen tragjike  dhe thirrjen dramatike të ndërgjegjes për katarsis.

Aktrimi i animatorëve të dromcave jetësore, të  situatave, gjendjeve emocionale, marrëdhënieve reciproke brenda shtëpisë së përbashkët,i dëshirave,  aspiratave e synimeve, mëtojnë e gjakojnë  një dëshirë të zjarrtë – dashurinë dhe mirëkuptimin ndaj tyre. Janë këto skena  që  shpalosin bukurinë, shpirtbardhësinë, energjinë pozitive dhe mesazhet me zëra engjujsh të cilët tingëllojnë si zëra kushtrimi,  e klithma  për më shumë kujdes ndaj kësaj pjese të margjinalizuar të shoqërisë.

Xheladin Poshka ka dëshmuar potencialin krijues  në të gjitha elementet përbërse të lojës    aktoreske, dhe ka merita të veçanta për funksionimin e hallkave kompozicionale të shfaqjes  sidomos për vendosjen e raporteve  me partnerët,  zhvillimin e tensionit dramatik dhe rrjedhës  intenzive deri në përmbylljen e shfaqjes.

Aktorët e vegjël që përfshijnë grupmoshat që nga ajo parashkollore e deri te adoleshnetët:Avdi Zhuta, Ymer Pasho,  Sara Shaqiri, Fiona Jusufi, Ëmbla Qyra, Alejna Jusufi, Ron Qoku, Dea Sela, Alban Bakalli, Dea Dika, Fiona  Muharremi kanë krijuar skenën e sintezës sublime të lojës që sjellë shumëkuptimësi në përcjelljen e mesazheve dhe vizioneve humane e fisnikëruese. Nisur nga rolet dhe loja briliante me  të cilat kanë  vendosur harmoninë, unitetin dhe tërësinë e veprës , të gjithë ata janë njësoj meritor  për suksesin e shfaqjes.

Nga thekset e mësipërme mund të nxirret gjykimi se shfaqje të tilla dhe të tjera që vijnë nga ky teatër do të jenë shkëndija dhe tufë drite mbi kulturën tonë.Teatrot tona kanë nevojë për shfaqje  në të cilat breza të ndryshëm ashtu si edhe në jetë  animojnë format aktuale të ekzistencës të ngarkuar me sfida e ankthe.

Struktura përmbajtësore e dramës është  animuar me sukses  sipas konceptit regjisorial modern të autores Olsa Poshka e cila ka kohë që po tërheq vëmendjen e opinionit nga fusha e dramaturgjisë dhe regjisë duke u dëshmuar edhe me çmime kombëtare.

Lajme të ngjashme

Back to top button