Basha: 1 Janari 2015 u rritën me 50% taksat, ta ndalim sot të keqen

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha nëpërmjet një statusi në Facebook, shprehet se nga 1 Janari i vitit 2015 janë rritur me 50% taksat për biznesin, qeratë dhe tatim fitimin.

Sipas tij vendosja e taksës progresive një vit më parë ka goditur më shumë shtesën e mesme, ndaj bën thirrje për të ndalur të keqen, që siç thotë Basha i ka rrënjët tek qeverisja Rama-Meta.

“Qeveria po shtyn vendin në drejtimin e gabuar. Nga viti në vit po shtohet skamja. Rrënohen të varfëritë, rrënohen shpresat e tyre që janë punëdhënësit.
Nga 1 Janari 2015 u rritën me 50% taksat për biznesin, qeratë dhe tatim fitimin. E keqja nuk ndalet. Një vit më parë taksa progresive goditi njerëzit më të aftë – profesionistët e çdo fushe.
Për të dytin vit radhazi shtresa e mesme po shkon drejt eleminimit progresiv. Po zhbëhet gjithçka që u ngrit me sakrifica në dy dekada. Në vendet e zhvilluara njerëzit me të ardhura mesatare arrijnë deri në 60% të shoqërisë. Ky është edhe trendi global, dhe jo më kot.
Shtresa e mesme është sinonim i sipërmarrjes, investimit, rritjes ekonomike dhe punësimit. Shtresa e mesme është garanti i demokracisë, i lirisë dhe mirëqenies. Kjo shtresë duhet mbrojtur dhe konsoliduar me çdo kusht.
Në vendet e oligarkëve të lindjes si dhe në regjimin Rama-Meta, ajo sulmohet me taksim të pandershëm dhe presion politik. Synohet eleminimi i saj, varësia totale e individit nga qeveria.
Ky është një rrezik real. Duhet të reagojmë. Duhet të mbrojmë arritjet e shoqërisë dhe ekonominë kombëtare. Sot mund ta ndalim të keqen – nesër mund të jetë vonë…”, shkruan kryeopozitari./BW

Lajme të ngjashme

Back to top button