Si e bojkotoi Sali Berisha zgjedhjen e Kadaresë në Akademinë Franceze

Që prej vitit të largët 1996, Ismail Kadare është zgjedhur anëtar i përhershëm i Akademisë Franceze të Shkencave Politike dhe Morale duke zëvendësuar në të gjermanin Karl Popper. Por vetëm tani, gati dy dekada më pas, shkrimtari ka treguar në librin e tij të fundit me motive nga Parisi, “Mëngjese në kafe Rostand”, prapaskena nga ceremonia e mbajtur në kupolën e famshme të akademisë.

Sipas tregimit të Kadaresë, rregulli për çdo të zgjedhur të ri, ishte që në ceremoni duhet të merrnin pjesë Mbreti apo Presidenti i vendit prej nga vinte i zgjedhuri i ri.

Por presidenti shqiptar i asaj kohe, Sali Berisha, kishte refuzuar me këmbëngulje të merrte pjesë në atë tubim.

Njerëz të afërt i kanë thënë Kadaresë, se ai refuzonte të kthente përgjigje.

Aso kohe, përpara zgjedhjeve të trazuar të 26 majit 1996, vërtet Ismail Kadare pati dhënë një intervistë që ngjalli shumë debat në shtypin shqiptar. Ai pati thënë se socialistët, atëherë në opozitë, nuk ishin të gatshëm të riktheheshin në pushtet.

Por nëse një gjë e tillë i shkonte për shtat Berishës, thirrja tjetër publike e Kadaresë për presidentin, për të liruar nga burgu rivalin e tij Fatos Nano, që e mbante personalisht në qeli, e pati zemëruar shumë ish­-presidentin.

Kadare nuk jep detaje për konfliktin e mundshëm politik, por ai rrëfen në libër, se si me këmbëngulje Berisha refuzoi të nderonte atë vetë dhe përmes tij Shqipërinë në këtë ceremoni. Si përfundim, shton ai, ceremonia u bë, po si rezultat i mungesës së kreut të shtetit të Shqipërisë, aty nuk u vazhdua tradita e luajtjes së himnit kombëtar, muzika e të cilit dëgjohej së bashku me zgjedhjen e çdo anëtari të ri./lapsi.al/

Lajme të ngjashme

Back to top button