fbpx

Hekurudha Shkup-Tiranë, gati brenda 2016-ës

Për ndërtimin e akseve janë parashikuar 580 milionë euro . Viti 2014 e gjen të ndërtuar një pjesë të autostradës së re Shkup-Shtip dhe Kërçovë-Ohër. Traseja drejt Ohrit është bërë gati në një gjatësi prej rreth 14 kilometrash, nga 57 kilometra, ndërsa nga ajo drejt Shtipit, janë ndërtuar 23.5 kilometra, nga 47 kilometra.

Sipas “KosovaPress”, për ndërtimin e këtyre dy akseve janë parashikuar 580 milionë euro, ose 374 milionë euro për autostradën drejt Ohrit, ndërsa për autostradën drejt Shtipit, 206 milionë euro.

Ministri i Transportit, Mile Janakievski paralajmëroi se gjatë tremujorit të parë të këtij viti do të shpallin konkurs për koncesioner edhe për autostradën Gostivar-Kërçovë. “Sa i përket ndërtimit të hekurudhës drejt Shqipërisë në gjatësi prej 63 kilometrash, është nënshkruar kontratë në muajin tetor të vitit të kaluar për projektimin e kësaj linje. Investimi kap shifrën prej 7.7 milionë euro dhe pritet që projekti të përfundojë në fund të vitit 2016”, tha ai.

Janakievski tha se para fillimit të vitit 2015, kompania ajrore me buxhet të ulët, Vizer do të marrë subvencione për vendosjen e pesë linjave të reja ajrore nga aeroporti i Shkupit dhe një nga ai i Ohrit. “U ofruan linja të reja nga Shkupi drejt pesë qendrave evropiane, plus ofruan fluturim të drejtpërdrejt nga Ohri për në Bazel. Në ditën e nënshkrimit të kontratës do t’u informojmë për të gjitha detajet. Pres diku nga 15 janari të nënshkruhet kontrata”, tha ai.

Detajet për marrëveshjen me Vizer do të zbulohen pas dy javësh, pasi të kalojë afati i ankimimit të vendimit të ministrisë. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve paralajmëruan se, këtë vit do të vazhdojë edhe gazifikimi i shtetit dhe ndërtimi i linjave të tjera hekurudhore.

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close