Vazhdojnë distancimet e profesorëve nga deklarata “pro” provimit shtetëror

Asistentja në Fakultetin e Mjekësisë Vjollca Aliji, emri i së cilës  gjendet në listën e profesorëve që përkrahin reformat në arsimin e lartë, pohon se nuk ka firmosur për këtë nismë. Në profilin e saj në fejsbuk ajo sqaron se është keqpërdorur pasi nuk është pyetur për provimin shtetëror, por për të dhënë mendim lidhur me një tjetër çështje, që më pas në opinion emri i saj  të keqpërdoret kinse mbështet diçka krejtësisht tjetër.

‘Deklaroj se nuk kam firmosur, nuk kam përkrahur dhe nuk jam anëtare e ndonjë plenumi profesorësh ose ndonjë anti- plenumi, nisma ose grupe për të cilat edhe unë sikurse shumica prej jush e mësova nga mediumet. Në institucionin tim erdhi një koleg, i cili gjoja bënte “anketë” në emër të shërbimit publik nëse ose jemi për ose kundër abrogimit të provimit ekzistues shtetëror, pas përfundimit të studimeve në Mjeksi dhe kështu nënshkrova “për”provimin shtetëror të Mjekësisë. Kjo ishte pyetja e jo nëse të ketë ose jo provim shtetëror në të gjitha studimet në fakultetet tjera, për të cilën sinqerisht nuk jam komptenete.  Provimi shtetëror prej kohës është obligues pas përfundimit të studimeve të mjekësisë në të gjitha shtetet mbarë botës dhe përmes tij mjekët pajisen me licencë të punës’, shkruan Aliji në Fejsbuk.

Në statusin e saj, Vjollca Aliji thekson se nuk është punonjësja e vetme shkencore e cila ka qenë e manipuluar. Sipas informacioneve të ALSAT M me skemë të ngjashme janë “mashtruar” shumica nga Fakulteti i Mjekësisë, por për dallim nga Vjollca, tani ata nuk kanë guxim të flasin publikisht.

Kjo paraqitje publike e asistentes Vjollca Aliji, vetëm se rrit dyshimet- si janë siguruar nënshkrimet me të cilët mbështet ideja e qeverisë për provimin shtetëror në të gjitha fakultet. Disa ditë më parë, nënshkruesi tjetër Erkan Balazhi nga Universiteti privat i Turizmit dhe Menaxhmentit deklaroi se ka firmosur nismën, pasi që kjo ka qenë vendim i drejtorisë së institucionit. Madje Balazhi tha se nuk është profesor ose asistent por punonjës i administratës së universitetit.  Alsat M disa herë u përpoq të kontaktoj me drejtorinë e këtij institucioni por pa sukses.

Lista e profesorëve që mbështesin provimin shtetëror  u shpall disa ditë pasi mbi 300 akademikë, profesorë, asistentë firmosën kundër reformës së paralajmëruar nga Qeveria Propozim ligji i cili parasheh provimin shtetëror tashmë ka kaluar fazën e parë në Kuvend. Ligji pritet të miratohet më 8 janar, kur edhe të kenë mbaruar diskutimet në komisionin parlamentar për arsim.

Lajme të ngjashme

Back to top button