Gjermania drejt përshpejtimit të procedurës për azil

Aktualisht, aplikimi dhe trajtimi i kërkesës për azil në Gjermani kërkon mesatarisht tetë muaj. Bavaria synon me propozimin e saj që rastet e thjeshta të përfundojnë brenda gjashtë javësh.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Hermann, (CSU) kërkon integrim të refugjatëve, por edhe kthim më të shpejtë për ata që abuzojnë të drejtën për azil. Në një dokument të CSU-së flitet për projekte për aplikime më të shpejta për azil.

Sipas Hermannit, një politikë e qëndrueshme ndaj azilantëve dhe refugjatëve do të thotë “që t’u jepet ndihmë refugjatëve të vërtetë, por edhe që t’u thuhet atyre që abuzojnë me sistemin se nuk mund të rrinë përgjithmonë këtu”.

“Kjo do të thotë, kur dikush pranohet si refugjat, atëherë duhet të vazhdojë integrimin, për ta përmirësuar gjendjen”, i tha Herrmann të premten televizionit bavarez, Bayerischer Rundfunk.

Sipas Hermann-it, kjo përfshin “shkollim të mirë dhe trajnim profesional, në mënyrë që refugjatët të integrohen mirë në tregun e punës”.

Në të njëjtën kohë Hermann bëri thirrje për kthim më të shpejtë të atyre që abuzojnë me kërkesat për azil. Kur refuzohet një kërkesë për azil, atëherë “konkluzioni logjik duhet të jetë që ky person duhet të largohet sërish me shpejtësi nga vendi. Ne duhet të këmbëngulim në këtë, përndryshe, i gjithë procesi do të kthehet në farsë”. Në këtë kuptim, kthimi nuk është “ksenofobi, por rezultat i një procesi kushtetues”, tha politikani i CSU-së, transmeton Albinfo.

Gazeta “Süddeutsche Zeitung” citon edhe një propozim të CSU-së për një proces më të shpejtë aplikimi për azilkërkuesit në Gjermani.

Në artikull thuhet se mesatarisht, procesi i kërkimit të azilit në Gjermani “është shumë më i gjatë” se në vendet fqinje, si Zvicra.

Aktualisht, aplikimi dhe trajtimi i kërkesës për azil në Gjermani kërkon mesatarisht tetë muaj. CSU-ja synon me propozimin e saj që rastet e thjeshta të përfundojnë brenda gjashtë javësh.

Lajme të ngjashme

Back to top button