Ja pse ka ndodhur vrasja e të dashurës nga 52 vjeçari tetovar

Burime nga grupi hetimor për rastin që ndodhi dje, që kanë bërë këqyrjen e celularit të viktimës, por edhe pyetjen e dëshmitarëve e personave që kanë pasur dijeni për lidhjen mes të plagosurës e viktimës, thanë se motivi i ngjarjes ka qenë një debat i çastit. Nga mesazhet e shkëmbyera me vajzën, duket se Emini i kishte kërkuar asaj prej 5 ditësh që të shkonte në hotelin ku ndodhej ai, por vajza nuk ka pranuar.

Sipas dëshmive të punonjësve të hotelit ku ndodhi ngjarja në kryeqytet, konflikti mes çiftit ka nisur që në lokalin e hotelit, ku ata ishin ulur të pinin kafenë.

Agim Emini dhe e dashura e tij Ana Sulçe kanë prenotuar një dhomë dhe pas një ore janë ngjitur drejt saj. Por, nuk kanë kaluar as 15 minuta, kur 21-vjeçarja ka dalë nga dhoma e hotelit duke kërkuar ndihmë dhe duke bërtitur në korridor. Pas saj ka dalë edhe 52-vjeçari, i cili ka pasur në dorë një pistoletë, me të cilën ka qëlluar mbi 21-vjeçaren, e cila ka marrë një plumb në bark.

Kishte 5 ditë që kishte marrë një dhomë në hotelin ku plagosi 21 vjeçaren me të cilën kishte marrëdhënie intime dhe më pas vrau veten, 52 vjeçari nga Tetova e Maqedonisë.

“Dëgjova të bërtitura dhe dola, pashë vajzën e cila ishte shtrirë në tokë, më pas ai më kërcënoi dhe mua se do të më vriste. Unë u largova me vrap, pasi kisha frikë. Pastaj dëgjova sërish të shtëna” dëshmon punonjësja e hotelit për Shqiptarja.com.

Menjëherë të pranishmit kanë njoftuar policinë dhe autoambulancën, e cila mbërriti me vonesë, duke bërë që 21-vjeçarja e plagosur të dërgohet me taksi drejt Spitalit Ushtarak. Ndërsa 52-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Burime nga policia bëjnë me dije se 21-vjeçarja është me origjinë nga qyteti i Skraparit dhe prej disa kohësh jetonte në kryeqytet, ku ndiqte dhe studimet.

Edhe pse ishte prezantuar në hotelin ku ndodhi ngjarja si biznesmen, Agim Emini nuk kishte asnjë biznes në emrin e tij. Ai vetëm prej dy vitesh kishte rifituar lirinë, që e kishte humbur kur ishte 35 vjeç në Zvicër. Në vitin 1996, Emini u arrestua në Zvicër për trafik lëndësh narkotike dhe u dënua me 17 vjet burg. Pasi qëndroi 15 vite në qeli, ai u la i lirë dhe në vitin 2011 u rikthye në vendin e tij të lindjes, në Tetovë të Maqedonisë, ku e priste vetëm e ëma, pasi babai i kishte vdekur, ndërsa të vëllain ia kishin arrestuar po në të njëjtin shtet dhe po për të njëjtën akuzë, si dhe atë vetë.

Një burim nga Policia e Maqedonisë është shprehur për Panoramën se në Tetovë nuk figuron më asnjë biznes në emër të tij. Edhe një bar-restorant të cilin e ka pasur në pronësi para se ta arrestonin në vitin 1996, tashmë nuk e kishte më. Sipas të dhënave, rezulton se ai e kishte nisur lidhjen me vajzën 21-vjeçare në fillim të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Back to top button