fbpx

Derisa koha ikën

Koha është ajo që na i bën gjërat që të harrohen. Të rëndësishmet e humbasin rëndësinë dhe zëvendësohen nga të tjera që janë më të rëndësishme. Të rejat bëhen të vjetra e zëvendësohen nga të tjera më të reja. Ato që na interesojnë sot mund të mos të na interesojnë nesër dhe ato që kanë vlerë sot ndodh që,nesër  të humbasin vlerën me kalimin e  kohës.

Koha nuk rrjedh njëlloj për të gjithë. Por gjithsesi ajo ecën e ecën e nuk ndalon kurrë. Lë pas hallet e përditëshme të njerëzve, zhurmën, zallakamën dhe kalon nëpër të tjera halle e telashe, ndodhi e historira, faqe gazetash e figurash televizive. Duket sikur kjo qerrata kohë është aleati më i mirë i qeveritarëve të liq qëmund të ketë një vend. Megjithse në pamje të parë të ngjan se atyre nuk u vjen mirë që koha ikën kaq shpejt e pushtetit të tyre u vjen fundi,kjo nuk është kështu pasi ata marrin masa që përsëri të vijnë në pushtet, të bekuar nga vota popullore.
Koha është aleati më i mirë i këtyre qeveritarëve sepse ajo heq vëmendjen nga ato që ngrenë e trazojnë shpirtërat e qytetarëve dhe i bëjnë ata të ngrihen kundër e të protestojnë. Koha, si një lum i madh, që është, mbush me llum e me baltë brigjet e mallkuara ku bëjnë jetën njerëzit, zbut çarjet e ngurtësuara dhe i bën ato gjithnjë e më pak të dukëshme. Kjo është ajo që u intereson aq shumë pushtetarëve, parlamentarëve, partiakëve e politikanëve të status quo-ve.

Vini re se ç’ndodh në Vendin Tonë. Zjejnë e trazohen shumë gjëra. Flitet e përflitet për to, bëhen deklarime, organizime e veprimtari, buçasin  televizionet, ndotin eterin,  gazetat e portalet mbushin hapësirën e internetit me  lajmet e bujshme. Pastaj koha kalon dhe ato fashiten e shuhen sikur flaka e shkrepsës ndërkohë  vendin e tyre e zënë të tjera, po aq të zhurmëshme, po aq në dukje, të rëndësishme e jetike.
Derisa koha ikën: Harrohen dëmet e panumërta në atë pasuri që një herë e një kohë quhej e popullit. Ai u vodh e u plaçkit për të krijuar kastat e reja tëbiznesmenëve.

Derisa koha ikën: Harrohen vjedhjet e parregullsitë në zgjedhje sepse erdhën të tjera zgjedhje dhe u bënë të njëjtat gjëra. U harruan ankesat për rritjen eçmimeve, për gjendjen e keqe të shëndetësisë, për mungesën e trajtimit njerëzor nëpër spitale, për helmimet e nxënësve, për degjenerimin e shkollave, qindra e mijra çështje të pazgjidhura nga gjykatat, nga parlamenti, nga qeveria. Janë harruar reformat që të tjerët na detyrojnë të bëjmë e që vetë nuk do t’i bënim kurrë. Harrohen ato dhe bëhen prapë reforma të tjera. Harrohen ligjet që janë bërë e bëhen prapë ligje të tjera. Harrohet kushtetuta e interpretohet siç do njëra palë.
Derisa koha ikën: Përsëriten e dalin prapë të njëjtat probleme nga njëra zgjedhje në tjetrën: dokumentacioni identifikues, listat e votimeve, e të tjera. Dhe përsëri harrohen. Bëhen plane e programe për luftën kundër korrupsionit dhe i zë pluhuri në dosje e në sirtarë dhe bëhen përsëri të tjera plane kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Dalin afera skandaloze dhe shuhen e fashiten si të mos kenë qenë kurrë.
Prokuroritë e gjykatat e kanë po ashtu kohën aleatin më të mirë. Dosjet harrohen me vite sa që të interesuarit ose vdesin ose s’çajnë kokçë më për to se jeta u ka vënë mbi shpinë të tjera halle më të rënda. Ata që janë dënuar nga një palë gjyqe, nxitojnë të rigjykohen kur janë ndrruar pushtetet dhe kështu dalin tëpafajshëm e faqebardhë ndaj fëmijëve të tyre. Harrohen krimet e ndërsa vrasjet trajtohen si me qenë kundravajtje të rëndomta parkimi.

Derisa koha ikën : Harrohen fjalimet e pushtetarëve. Harrohen qëndrimet e tyre, një herë kur shajnë e tallin veteranët e luftës një herë kur i përqafojnë e kuvendojnë gju më gju me ta. Harrohen ç’kanë thënë për njeri tjetrin, si kanë kaluar nga një parti a grupim politik te tjetri, si kanë votuar , harrohen programet e partive, premtimet për më shumë rrugë, për më shumë shkolla, për zhvillimin e turizmit e ndërtimet pa leje  apo me leje të padukshme, për jetë më të mirë, për begati e lulëzim.

E pra, a nuk është koha aleati më i mirë i pushtetarëve ? Atëhere ç’u mbetet qytetarëve? E vetmja gjë që mund të bëjnë ata është të mos e lënë kohën të rrjedhëmë kot, për të fashitur e harruar shqetësimet e në dobi të pushtetarëve zullumqarë, por ta përdorin atë për të shpënë deri në fund ato që e nisën e nuk bitisën. Ta mbajnë nga mënga e xhaketës (apo nga kapistra e kravatës) deputetin a pushtetarin deri sa të zgjidhet ajo që është shpupurisur. Të mos harrojë, të mos harrojë e të mos harrojë! Të mos e lërë kohën të ikë pa u zgjidhur ajo që është zbuluar e duhet zgjidhur. E gjithë medja mund të ndihmojë këtu jo duke hedhur paprerë “kacinë e madhe” por duke ngulmuar t’u shkohet deri në fund aferave të zbuluara. Në fund të fundit, në këtë garë të përjetëshme me kohën, humbasin të gjithë ata që e kanë kujtesën e shkurtër. Ky është fati i tyre. Ndërsa koha shkon…siç thotë ajo kënga e pavdekshme e Herman Hupfeld kënduar nga Sinatra i madh.

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close