Na duhet evoluim akademik e jo revolucion i pakuptimtë!

Me propozimet e reja për arsimin e lartë parashikohet që profesorët nga viti 2018 në afat kohor prej pesë viteve duhet të publikojnë së paku dy punime shkencore në revistat shkencore me faktor ndikimi (impact factor) në bazën e Web of Science dhe jo si që ishte deri më tani, në çfarëdo lloj reviste shkencore. Qeveritarët madje thanë se profesorët protestojnë sepse kanë frikë nga ky detyrim sepse deri më tani kanë publikuar punime por në revista të Vranjes, Manastirit dhe të tjera të cilat nuk janë aspak relevante.

Shumica e profesorëve ankohen se mungesa e punimeve shkencore nuk ka të bëjë vetëm me aftësinë e profesorëve por ka të bëjë drejtpërdrejtë me mjetet që i ndan shteti për lëmin shkencore dhe hulumtim.

Bexheti: Qeveria të shikojë strukturën e punësimeve e më pas të kërkojë këto kushte

Profesori universitar Abdylmenaf Bexheti tha se Qeveria e Maqedonisë është punëdhënësi më i madh gjatë 9 viteve të fundit, andaj i sugjerojmë të sheh gjithë strukturën e punësimeve që ka bë, me çfarë mesatare dhe me çfarë kushtesh i ka punësuar gjithë ata persona.

“Mendoj se vendeve të vogla, të limituara dhe në këtë shkallë të zhvillimit as që u kërkohet e aq më pak pritet prej tyre kontributi shkencor që e pretendon Gruevski. Është qesharake të pretendojmë ne për astrologji, astronomi.  Në anën tjetër ai është punëdhënësi më i madh këto 9 vitet e fundit. I sugjerojmë të sheh gjithë strukturën e punësimeve që ka bë, me çfarë mesatare dhe me çfarë kushtesh i ka punësuar gjithë këto. A e din ai se ka punësuar me shkolla të mesme ,,të natës,, dhe që pas 4-5 vitesh të punësuarit e “tij” kanë magjistruar në Universitetet “masive” që po kjo qeveri i krijoi”, tha për Portalb, profesori Bexheti.

Sa për elementin shqiptar, Bexheti tha se kësaj radhe s’kemi nevojë të veçojmë, janë pjesë e gjithë këtyre dështimeve.

“Me një fjalë, qeveritarët tanë me këto veprime janë si ata që “shtyhen” për tu futur në autobusin e fundit të “shkencës” dhe sapo kanë vënë këmbën, tjerëve u bërtasin mos “shtyheni”!”, shtoi Bexheti.

Kadriu: Reformat janë nisur mbrapshtë

Profesori universitar Zeqir Kadriu tha se propozim-reformat në arsim natyrisht që janë shumë të nevojshme dhe të domosdoshme për një arsim cilësor dhe me standard ashtu siç i kanë shumë shtete në Evropë e gjetiu, mirëpo që MASH nuk mund ta bëj këtë.

“Propozimreformat në arsim natyrisht që janë shumë të nevojshme dhe të domosdoshme për një arsim cilësor dhe me standard ashtu siç i kanë shumë shtete në Evropë e gjetiu. Them pa hezitim se pikërisht  ky kaliber,që aktualisht po udhëheq (së bashku me njerëzit që unë i njoh në MASH),nuk mund ta bëj këte! Sepse,reformat që para ca kohësh janë nisur mbrapsht. Ka dështime të shumta në projektet që janë realizuar dhe kanë mbetur në gjysmë ngase,ata kërkojnë shumë mjete, shumë profesionalizëm dhe shumë transparencë. Kapaciteti i garniturës në pushtet VMRO-BDI këtë nuk e posedon”, tha Kadriu.

Ai shtoi se së pari qeveritarët duhet të heqin miqtë e shokët e tyre që nga barinj stanesh i sollën në dyert e universiteteve dhe i bënë profesor!

“Tani si më andej? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Reformën duhet ta bëjë elita intelektuale, pa ansnjëfar ngjyrimi politik ,(kuptohet me përjashtime) se nuk do të sjellim njerëz nga Marsi. Atëherë, të kërkohet cilësi,botime shkencore të mirëfillta,standard,me  faktorë ndikimi… dhe filtrim që nga nga koka. Poqëse kjo nuk bëhet kësisoj,reforma nuk mund të ketë sukses. Në shumë mjedise ka pak kushte për tu marrë me shkencë të mirëfilltë. Sepse janë krijuar kushte formale. Për shembull; në USHT-ës shumë profesor nuk kanë kabinete pune, nuk kanë internet dhe ngrohje në kohë të dimrit. Atyre u kërkohet shkencë. Ironi;  shkenca kërkon qasje dhe rehati shpirtërore. Nuk krijon dot pa pasur një mundësi elementare”, tha për Portalb, Kadriu.

Pajaziti: Unë jam për evoluim akademik e jo për revolucion të pakuptimtë

Profesori Ali Pajaziti thotë se çështja e revistave me faktor ndikimi është një farsë për të mbuluar ndryshimet e pajustifikueshme në Ligjin për arsimin e Lartë, në veçanti provimin shtetëror, hap ky i politikëbëries për të vënë nën kontroll stafin akademik dhe universitetin, për të t’i vënë dry mendjes jooportune këtu në Maqedoni.

“Sa i përket impakt faktorit, sipas European Association of Science Editors, është mjet për matje dhe krahasim të revistave e jo për evaluimin e artikujve, as për vlerësimin e hulumtuesve dhe të programeve hulumtuese. Impakt faktori është me bazë komerciale, ku fjalën kryesore e kanë kompani si Emrald, Scopus dhe Thomson Reuters. Shtëpitë botuese më të njohura globale si Sage, Pallgrave, MacMillan, Routledge, Oxford University Press nuk janë pjesë e këtyre bazave ndërmjetësuese”, tha për Portalb, Pajaziti.

Ai shtoi se normalisht që në gjenerimin e punimeve shkencore ndikon edhe buxheti shtetëror i ndarë për shkencë.

“Në vendin tonë ka universitete ku ka buxhet për staff  development (zhvillim të profesoartit), si UEJL, por edhe universitete që në këtë drejtim nuk ndajnë aspak prej buxhetit të tyre. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe mbështetjen që bën qeveria për publikime në Web of Science që është një segment pozitiv por i pamjaftueshëm. Kohëzgjatja e pritjes për publikim në një revistë të tillë është nga 1.5 deri në dy vjet dhe kjo edhe më tepër krijon gjendje stresante te ligjëruesit dhe hulumtuesit universitarë. Kur t’ia shtojmë edhe faktin që shumica e universiteteve janë të bazuar në ligjërim (teaching-based) e jo në hulumtim (research-based), konstatojmë se do të përjetojmë turbulenca serioze në fushën akademike. Unë jam për evoluim akademik e jo për revolucion të pakuptimtë, jam kundër hopeve dhe mutacioneve akademike. Përndrsyhe do të jemi objekt i përngjasimeve me rrëfimin për bretkosën që ka dashur të mbathet me patkoj duke e marrë për shembulli kalin”, shtoi Pajaziti.

Rushiti: Duket sikur bëjnë gara mes vete se kush do të sjell idenë më absurde

Ish ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti thotë se ai kishte përplasje gjatë mandatit tij në këtë post lidhur me këtë propozim i cili bëhej që në atë kohë.

“Mbaj mend që kur e punonim ligjin për arsim të lartë, një nga “përplasjet” e mia si ministër me kryeministrin dhe disa ministra të VMRO-së ka qenë edhe ky  propozim. Këmbëngulja ime ishte ashtu si­ç edhe mbeti në Ligjin ekzistues, të jetë stimulues. Domethënë nëse një profesor boton në këto revista ose nese merr çmim ndërkombëtar, atëherë të mund të marrë para afatit 4 vjeçar një shkallë më shumë në thirrje akademike”, tha për Portalb, Rushiti.

Ai shtoi se këto zgjidhje dhe disa të tjera që po i bën kjo ministri janë shumë infantile.

“Pyetjen që e shtrova edhe atëherë edhe tani është kjo: T’i lëmë të gjitha komplikimet tjera, me këtë ligj do duhet t’i vini drynin të gjitha katedrave të gjuhës maqedone, sepse cila revistë me impakt faktor qenka aq e interesuar të botojë punime për gjuhën dhe letërsinë maqedone sa të përmbushë të gjitha nevojat e stafit të katedrave. Mendoj që këto zgjidhje dhe të tjerat si këto janë shumë infantile.  Duket sikur sillen nga njerez që bëjnë gara mes vete se kush do të sjell idenë më absurde. Dita ditës qeveria më ngjan si Monty Python me skeçin Ministry of silly walks”, shtoi Rushiti.

Ndërkaq i ashtuquajturi “Faktor i ndikimit” e mat dhe shfaq nivelin e ndikimit të një punimi shkencor ndaj rrethit dhe ndaj rrjedhave shoqërore ndërsa ndërlidhet me atë sa herë është cituar nga të tjerët.  /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button