Motivi që çoi në ekzekutimin e dyfishtë

Dita e dytë e vitit 2015, ka shënuar krimin e parë të rëndë të ndodhur në Shqipëri.

Në një atentat të ndodhur sot në mesditë në Vlorë, kanë mbetur të vrarë dy persona.

Viktima të këtij ekzekutimi mbetën 21-vjeçarja Paola Bishaj dhe kushëriri i saj, Parid Velaj, 28 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës, ndërsa i plagosur mbeti Gerti Arapi, 28 vjeç banues në Berat, i cili shumë shpejt do të fejohej me motrën e 21-vjeçares.

Në një operacion të vështirë për kapjen e autorit, policia ka arrestuar në flagrancë 28-vjeçarin Ervis Lulushi, teksa largohej në vendi i krimit dhe ka sekuestruar armën e krimit.

Si rrodhi dinamika e kësaj ngjarjeje deri në vrasjen e kushërinjve?

21-vjeçarja dhe kushëriri i saj ndodheshin në pastiçerinë “Grande Gelato” pranë shkollës së Marinës, ndërsa në tavolinë me ta ishin edhe bashkëshortja e Parid Velajt së bashku me Gerti Arapin. Burime për A1Report nga blutë e Vlorës thanë se autori i dyshuar i vrasjes është afruar në tavolinë dhe ka kërkuar të thërrasë për sqarim 21-vjeçaren.

Ka qenë kushëriri i saj i cili nuk e ka lejuar bisedën mes tyre, duke e larguar autorin disa metra larg ambientit të pastiçerisë. Vetëm pak minuta më vonë Ervis Lulushi është kthyer i armatosur dhe ka qëlluar  me pistoletë në drejtim të Paolës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më tej ka qenë kushëriri i saj, i cili në tentativën për të izoluar autorin është qëlluar me një plumb ne kokë, ku fatkeqësisht ndërroi jetë në spital. Ndërsa Genti Arapi ka shpëtuar mrekullisht nga kjo tragjedi, falë bllokimit të armës. Ai është goditur disa herë në kokë me tytën e pistoletës dhe është në spital jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas ekzekutimit të dyfishtë dhe plagosjen e të riut tjetër, autori është larguar nga vendi i ngjarjes duke kërcënuar me pistoletë në kokë drejtuesin e një makine të rastësishme që ndodhej pranë pastiçerisë. Policia është vënë në ndjekje të autorit duke e lokalizuar pranë zonës së Skelës. Autori nuk është ndalur me kaq…ka dalë nga automjeti, i ka drejtuar armën efektivëve të policisë dhe ka nisur të ecë me pistoletë në dorë nga Skela në drejtim të Ujit të Ftohtë duke terrorizuar qytetarët që ndodheshin në rrugë. Operacioni për kapjen e tij ka qenë i vështirë për shkak të kërcënimit me armë, derisa efektivët arritën ta vënë në pranga.

Sakaq, policia shoqëroi në ambientet e komisariatit dhe kushëririn e autorit, Arlind Lulushin 27 vjeç i cili mbërriti pas ngjarjes, si dhe Daniel Mehmetin 32 vjeç, i cili dyshohet të jetë personi që u kërcënua me armë në kokë nga 28-vjeçari.

Lajme të ngjashme

Back to top button