Dy të vrarë dhe një i plagosur në Vlorë

Një vajzë e re mbeti e vrarë, e bashkë me të edhe pronari i njësisë tregtare ku ajo ndodhej, sot pasdreke në qytetin e Vlorës. Një person i tretë ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi në zonën e Ujit të Ftohtë pranë Shkollës së Marinës në Vlorë.

Vajza është ekzekutuar me armë zjarri teksa gjendej në një pastiçeri në rrugën turistike, sot në orën 13.40. Në pastiçeri gjendej edhe pronari i saj, i cili po ashtu u qëllua për vdekje. Personi i tretë i plagosur, u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Dyshimet e para janë se në fokus të autorit ishte vajza e re, Paola Bifsha, 20 vjeç, kurse mendohet se Parid Velaj, rreth 30 vjeç, është vrarë nga të shtënat e pakontrolluara me armë zjarri. Një person i dyshuar si autor i vrasjes është arrestuar në vendin e krimit, teksa përpiqej të largohej drejt bulevardit Vlorë-Skelë. Ai është E. L. 31 vjeç, i cili u prangos teksa ishte me armë në dorë.

Policia tha se edhe një person i dytë po ashtu është arrestuar si i përfshirë në krim. Disa persona të tjerë momentalisht po shoqërohen në vendngjarje. Ende nuk ka informacione mbi shkaqet e këtij krimi. /NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button