“Kapriço” fundviti!

Jo-rrallherë shofim proklamime të tepruara për këtë “festë” fundviti. Disa thonë që është “kaurësh”, e disa pagane, por mbi të gjitha s’ka pikë lidhje me traditën tonë. Na past mbetë me u gëzu ni ditë për vit, ma mirë mos u gëzofshim kurrë.

Çfarë dëgjojmë e shohim; dehje, reparte emergjence të stërmbushura, lekët “e tepruara” që shpenzohen për fishekzjarre koti, import i shtuar tejmase nga fqinjët. Nuk e di në këtë mes a ka ndopak logjikë të shëndoshë. Akuza se s’jemi evropian po qëse s’festojmë është më se e pranishme. Punë e madhe, se na qenka Evropa qendër e universit.

Dikur mbronim me fanatizëm traditat tona dhe rreptësisht i urrenim traditat e huaja, të pushtuesve, të cilët mundoheshin të na impononin kulturën e doket e psherëtirta.  Viteve të mes-shekullit të kaluar të visheshe ndryshe nga veshjet tona tradicionale thonin se është bë “shkja”, se le me as që është zënë ndër gojë festimi i këtyre festave të shpikura nga kapitalistët.
Po të shohim ankesat për gjendjen sociale, duke krahasuar me shpenzimet që bëhen nëpër qendra tregtare këto ditë feste, i bie që vet jemi fajtorë për këtë situatë të palakmueshme.

Shumë mirë janë duke na bërë klasa udhëheqëse, bile më tepër duhet të na e bëjnë. Jemi bërë për tu krahasuar siç thoshin si ai daullxhiu që mendon vetëm sot për sot (pa cenzurë). Kurrë më të papasur s’kemi qenë, se mbi te gjitha gjyshërit tanë qenë kursimtar dhe ekonomist, e falë tyre secili pothuajse sot gëzojmë goxha “shekë” tokë. Duhet të jemi tejet konservator në çështjet që lidhen direkt me aspektin social, kulturor e kombëtar të popullit tonë.

Këto para të kursyera për tu shpenzuar këto netë, po që se do dhuroheshin për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore do të ishte hap tejet patriotik, besoni. Ta lëmë veten mangut në disa qejfe për një gjë që do na thurnin këngë pasardhësit tanë dhe jo vetëm. Dhe kurrë nuk është vonë. Gjithë hebrenjët(izraelitët) e shpërndarë nëpër botë kanë paguar taksa të mëdha për realizimin e krijimit të shtetit të Izraelit. Nuk miren shembull për mënyrën e uzurpimit të tokave të huaja dhe idetë irredentiste që aplikohen, por për nacionalizmin që e kanë. Mbi të gjitha qëllimi e arsyeton mjetin.

Çfarë nacionalistësh jemi ne, nacionalist dy-groshësh. Kapitalizmi na ka zhveshur nga të gjitha ndjenjat kombëtare, na ka larguar aq shumë nga sofra e përbashkët në familje saqë tubohemi vetëm në këto festa të shpifura, që s’dihet çfarë festohet. Ndoshta, një ratë mangu për tu paguar nga kreditë e shumta.
Më mirë të jesh demode se sa të imitosh të tjerët. Aktorët më të dobët që i njeh arti, janë ata që imitojnë të tjerët. Të gjithë ata që kukasin për një vit, festojnë me këngën “Sonte ti harrojmë të gjitha hallet”.  Jemi duke e kultivuar vetë nënshtrimin dhe përbaltjen ndaj kënaqësive shtazarake shpirtërore.

Çmimin e këtij festimi mos harroni do e marrim në 365 ditëshin e ardhshëm.
“Duaje tënden” nuk është sllogan që përdoret vetëm për ushqimin, por gjithçka që lidhet me progresin e vendit tënd.
Nuk ndryshohet gjendja e një populli, derisa ata nuk e ndryshojnë vetën e tyre..!

Albrim Badallaj
Kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptarë

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Po shifet shkrimi, karakteristike per menyren e tij te veqante. Paske qasje vertet kombetare

Back to top button