Stresi ndikon në aftësinë për të mbetur shtatzënë

Edhe vetë periudha kur gruaja përpiqet që të mbetet shtatzënë, është kohë kur gruaja ka stres të konsiderueshëm. Njerëzit ju thonë vazhdimisht: “Vetëm relaksohu, mos ke dert dhe do të mbetesh shtatzënë!”. Kjo fjali juve ju nervozon dhe ju frustron, por ka një të vërtetë në këtë gjë.

Stresi ndikon në funksionimin e hipotalamusit. Hipotalamusi është një gjëndër e cila gjendet në tru. Rregullon oreksin dhe emocionet. Hipotalamusi po ashtu sekreton hormonet të cilat ndikojnë në vezore që ajo të lirojë qelizën vezë, kurse te burrat ndikojnë në prodhimin e testosteronit. Nëse ju ose burri juaj jeni të stresuar,është normale që të keni më pak dëshirë që të keni marrëdhënie seksuale. Ky fakt ju pamundëson që ju të mbeteni shtatzënë. Nëse efekti i stresit është shumë i madh, atëherë ndikon edhe në ovulacion. Ovulacioni shfaqet më vonë gjatë ciklit menstrual ose nuk ndodh fare. Kjo gjendje quhet “anovulacioni i indukuar nga stresi”.

Duhet të dallohet stresi konstant nga stresi i përnjëhershëm. Organizmi juaj është mësuar me një stres konstant, të përditshëm, prandaj ju përkundër stresit do të keni ovulacion gjatë çdo cikli menstrual. Por, stresi i përnjëhershëm (për shembull vdekja e një anëtari të familjes) e çrregullon ciklin menstrual dhe ju pamundëson që të mbeteni shtatzënë. Disa gra edhe nëse udhëtojnë disa ditë larg shtëpisë, kjo ndikon që të vonohet ovulacioni, kurse ka gra ka ndodhur që edhe përkundër një stresi të madh, ovulacioni ka ndodhur pa asnjë problem. Domethënë kjo dallon nga një grua në tjetrën.

Stresi pozitiv ndikon në ciklin tuaj menstrual. Edhe në këtë rast ju mund të keni ovulacion të vonuar ose të mos keni fare. Nuset e sapomartuara kanë çrregullim të ciklit menstrual nga stresi pozitiv për shkak të martesës. Gratë që udhëtojnë gjatë mund të ndodhë që përkohësisht të mos kenë fare menstruacione. Pra, nuk ka rëndësi, edhe nëse stresi është “i mirë”, prapëseprapë ndikon në ovulacion.

Nëse përpiqeni të mbeteni shtatzënë dhe jeni nën stres, atëherë mukusi i qafës së mitrës ju tregon se diçka nuk është në rregull. Normalisht ju duhet të keni sasi të shtuar të sekretit sa më shumë që i afroheni ditës së ovulacionit. Kur jeni nën stres ju ndjeni se ju rrjedhin copa të sekretit dhe pastaj për disa ditë nuk keni fare sekret. Domethënë në këtë rast organizmi juaj po përpiqet që të ndodhë ovulacioni, por stresi e pengon. Ju nuk mund ta dini a keni apo jo ovulacion, pa përdorur ndonjë nga metodat për ta detektuar ovulacionin. Mund të përdorni kitet e ovulacionit, mund ta matni temperaturën trupore ose këtë mund ta bëni duke vlerësuar mukusin e qafës së mitrës.
Stresi vetëm e vonon ovulacionin, por kjo nuk ju bën të pamundur që të mbeteni shtatzënë. Rekomandohet që ju të keni marrëdhënie seksuale çdo 2-3 ditë dhe gjasat për sukses janë optimale. Edhe në rast se nuk keni ovulacion për shkak të stresit, gjinekologu ju jep barna të cilat e zgjidhin këtë problem.

Në rastet kur stresi ndikon në sterilitet, ndikim të madh ka edhe përkrahja psikologjike. Bisedoni me mjekun tuaj për ndihmën që mund t’iu ofrojë në këtë drejtim. /Telegrafi

Dr. Memli Morina

Lajme të ngjashme

Back to top button